Shkup, 2 nëntor 2018 (MIA) – Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Polonisë në vend, Vojçeh Jezhi Tiçinjski.
“Zëvendëskryeministri Osmani uroi ambasadorin Tiçinjski për emërimin e tij në këtë funksion, ku edhe potencoi se, mbështetja dhe ndihma e Republikës së Polonisë është e rëndësisë së veçantë për vendin tonë për realizimin e qëllimeve tona strategjike, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian ku dhe shprehu shpresën se kjo qasje e bashkëpunimi do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të tij. Detyrimet që dalin nga samitet e qershorit paraqesin detyrime për të gjithë ne, për të cilat ekziston përkushtim i plotë jo vetëm i Qeverisë, por edhe faktorit të përgjithshëm shoqëror dhe politik”, theksoi Osmani, duke potencuar edhe përvojën e Polonisë në negociata si kontribut të rëndësishëm për përgatitjen e strukturës negociuese për avancimin e efikasitetit në bisedime, kumtoi SEÇ.
Osmani theksoi se mbështetjen nga ana e Polonisë, si bilaterale, ashtu edhe procesit integrues, e shohim si të rëndësisë së veçantë, jo si qëndrim politik brenda Bashkimit Evropian, por edhe si kontribut thelbësor në krijimin e mbështetjes në procesin e zgjerimit edhe mes vendeve të grupit të Vishegradit.
Ai e informoi ambasadorin Tiçinjski edhe për aktualitetet e fundit politike, marrëdhëniet me Greqinë, procesin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, si dhe rrjedhën e implementimit të reformave të Planit 18.
Gjatë bisedës dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen e ndërsjellë për përforcimin e mëtejmë të lidhjeve miqësore mes dy vendeve, përmes avancimit të bashkëpunimit në gjitha sferat e interesit të ndërsjellë.