Shkup, 30 maj – Zëvendës kryeministri i obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Italisë, realizuan takim me ministrin e Punëve të Jashtme Enco Moavero Milanezi, si dhe me kryetarin e Komitetit për marrëdhënie me vendet nga Ballkani Perëndimor në Senatin italian Luçano Dalfonso, ku është shprehur përkrahje e fuqishme nga ana e Italisë për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut, raporton Koha.mk
Osmani dhe Dimitrov, në takimet në Romë, shprehën mirënjohje për mbështetjen e deritanishme nga ana e Italisë për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke marrë bindje të forta nga ana e ministrit Milanezi dhe senatorit Dalfonso, se Italia mbetet e përkushtuar në integrimet evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, me mbështetje të fuqishme për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në prag të samitit të ardhshëm të qershorit në BE.
Në takimin, Osmani i ka informuar për porosinë e qartë nga ana e KE-së për gatishmërinë e plotë të vendit për fillim të negociatave.
“Sjellim lajme të mira nga Shkupi, Raport i Komisionit Evropian që pasqyron me saktësi përparimin reformues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me një mesazh të qartë dhe pa hamendje nga ana e Komisionit, për gatishmërinë e plotë të vendit për fillimin e negociatave”, theksoi Osmani deri tek bashkëbiseduesit.
Në takimin Osmani referoi edhe për përparimin reformues në fushat kyçe që janë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian nga viti i kaluar, që synojnë në përmbushjen e plotë të detyrimeve të ndërmarra, si bazë për fillimin e negociatave me Unionin këtë vit.
Shefi i diplomacisë Dimitrov, siç informojnë nga MPJ-ja, ka theksuar se me Raportin fituam edhe një konfirmim të fortë dhe shumë të rëndësishëm që Maqedonia e Veriut është duke shkuar në rrugën e duhur.
“Jemi krenar për të arriturat. Njohja e suksesit tonë, me fillimin e negociatave të pranimit këtë vit, do të jetë një mesazh inkurajues dhe i qartë për të gjithë rajonin, por gjithashtu edhe konfirmim i besueshmërisë dhe ndikimit të BE-së në Ballkan. Sigurisht, mbështetja nga Italia dhe vendet tjera anëtare do të jetë vendimtare për një vendim pozitiv nga Këshilli Evropian. Siç thotë edhe thënia italiane – të jemi bashkë është fillimi, të mbahemi së bashku është përparim, ndërsa të punojmë së bashku është sukses. Ne do të vazhdojmë të punojmë që suksesi ynë të jetë i përbashkët me miqtë tanë nga BE”, theksoi Dimitrov.
Nga Italia, Osmani dhe Dimitrov, vazhdojnë për vizitë bilaterale në Mbretërinë e Belgjikës, ku do të takohen me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Didie Rejnders. (koha.mk)