Pak para nisjes së seancës së fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Nomme Kalju të Estonisë, trajneri dhe kapiteni i Shkëndijës së Tetovës dolën në konferencë për shtyp, ku shprehën bindjen se kuqezinjtë do të marrin rezultat pozitiv në këtë përballje të vajtjes në raundin e parë kualifikues të Championsit. Qatim Osmani në prononcimin e tij tregoi se ka informacionin e duhur për kundërshtarin dhe mënyrën sesi ai luan.
“Shkëndija është e gatshme për lojën e nesërme (sot, ora 18) dhe sigurisht presim rezultat sa më të mirë para ndeshjes së kthimit. Kemi analizuar mirë ekipin Nomme Kalju dhe mund të them se flasim për skuadër që dëshiron të luajë futboll. Insistojnë të luajnë me mesfushorin qendror, që nis thuajse çdo aksion, ndërsa kanë shumë aktiv krahun e majtë. Gjithsesi, ne kemi respekt për kundërshtarin dhe kësaj ndeshjeje, si gjithë të tjerave, i qasemi me seriozitet maksimal dhe fokusi ynë është vetëm te ky takim”.
Kapiteni Amend Alimi theksoi se është shumë e rëndësishme që Shëndija të mos pësojë gol në takimin e parë, duke qenë i vetëdijshëm që kualifikimi, në çdo rast, do të vendoset në Shkup
“Ndeshjet në Europë dallojnë nga ato kampionale, gjithmonë janë më të vështira. Mirëpo mendoj se kualiteti gjithmonë arrin të dalë në pah, eksperienca gjithashtu dhe më i rëndësishëm është motivi dhe qëllimi që kemi. Për ne rezultat pozitiv do të ishte të shënojmë gol dhe mos të pranojmë. Normal kemi dy ndeshje dhe sido që të shkojë ndeshja e nesërme, jam i bindur se fituesi i këtij dueli do të vendoset në Shkup”.