Të hënën në mbrëmje në Prizren, ’zbarkuan’ dy përforcime bombë tek skuadra e Lirisë. Florent Osmani, që luan në pozitën e mesfushorit ofensivë të anës së majtë dhe të sulmuesit dhe Burhan Aliji që luan në defensivë, po në mesë fushë, janë dy prurjet më të fuqishme deri tash. Bajram Lika, i njohur me nofkën ‘Zhuti’ ka qenë ‘mësiti’ i këtyre transfereve, që të martën do të bashkohen me grupin në stërvitje. “Bëhet fjalë për futbollistë me përvojë dhe kualitativë. Këta me siguri që do të bëjnë diferencën”, ka thënë menaxheri i tyre, ‘Zhuti’.
Osmani vije nga skuadra e Shkupit nga Liga Superiore e Maqedonisë, ndërsa Aliji nga skuadra Euromilk, që momentalisht është në pozitën e parë në kategorinë e dytë të Maqedonisë. ‘Shpresojmë që të dy të tregojnë performancë të mirë. Ka kohë që i kemi vëzhguar dhe kërkuar këta dy futbollistë. Të gjitha pritjet janë për futbollistë cilësor’, ka thënë Mirsad Çollaku, kryetar i Lirisë. Me këtë edhe mbyllet merkatoja tek Liria, që në fillim të muajit shkurt pritet të udhëtoj në Ulqin ose Durrës, për tu përgatitur sa më mirë për stinorin pranveror.