Shkup, 21 qershor – Zëvendës – kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj Aleancës për Shqiptarët (ASH), e cila akuzon atë, si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrin e ekologjisë Sadulla Durakun për keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe partiake në zgjedhjen e gjykatësve, por jo vetëm edhe për fshehje të një vrasje, duke mbrojtur dorasit, informon gazeta KOHA.
“Dua që në tërësi t’i demantoj spekulimet e dhëna nga ana e Aleancës për Shqiptarët dhe zëdhënësi i tyre, ku përmendet emri im si pjesë publikimit të një bisede të incizuar jo-ligjërisht. Fillimisht dua ta informoj publikun se bëhet fjalë tërësisht për spekulim, shpifje dhe lajm të rrejshëm. Unë as nuk kam qenë i përfshirë, as që kam marrë pjesë në aktivitetet në të cilat i potencon Aleanca për Shqiptarët dhe zëdhënësi i tyre, e as që jam unë ai i cili përmendet në incizimin joligjor. Ky është një lajm plotësisht i rrejshëm dhe ka për qëllim ta rrënojë kredibilitetin tim politik si udhëheqës i integrimeve evropiane në vend, që, duke pas parasysh ndjeshmërinë e kësaj periudhe, është një dëm që i shkaktohet edhe vet vendit”, thuhet në demantin me shkrim të Osmanit, transmeton gazeta KOHA.
Për këtë qëllim, shkruan më tej Osmani, i bëj thirrje ASH-së që brenda 24 orëve të ardhshme, në tërësi ta tërheqin potencimin e rrejshëm të emrit tim dhe të kërkojnë falje për dëmin e shkaktuar, në të kundërtën, do të ndërmarr të gjitha masat juridike të cilat janë në dispozicion dhe të gjitha këto pohime të mijat do ti parashtroj para organeve gjyqësore. (koha.mk)