Zëvendëskryetari i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, u takua sot me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Milan Brglez, i cili ndodhet për vizitë njëditore në Maqedoni.
Në takim u diskutua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh që po zhvillohet që nga viti 2004, si dhe u shqyrtuan mundësitë për avancimin e tij të mëtejshëm. Zëvendëskryeministri Osmani theksoi kënaqësinë me arritjet e deritashme në realizimin e projekteve me ndihmën e Sllovenisë, dhe theksoi se Sllovenia si partner i afërt i Maqedonisë është mbështetës i procesit euro-integrues të vendit:
“Republika e Maqedonisë ndodhet në një moment specifik të zhbllokimit të proceseve euro- integruese, dhe mbështetja e cila vjen nga vendet tona mike nga brenda Unionit është me rëndësi të jashtëzakonshme”, theksoi Osmani në takim.
Ai shtoi se relacionet tradicionalisht të afërta mes dy vendeve përbëjnë një potencial shtesë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në këtë drejtim Maqedonia e shikon Slloveninë si vend-mik brenda Bashkimit Europian.
Zëvendëskryeministri Osmani iu referua edhe ndihmës që vjen nga Sllovenia në Maqedoni e që përbëhet nga ndërtimi i shkollave, mbështetja për ndërtimin e ujësjellësve, ndërlidhjes elektronike të komunave dhe ndihma të tjera të cilat drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me pushtetin lokal
“Ndihma zhvillimore nga Sllovenia është fleksibile dhe e orientuar drejt rezultateve dhe për këtë arsye është e mirëseardhur”, theksoi zëvendëskryeministri Osmani, duke iu falënderuar Brglez për mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë nga ana sllovene.