Shkup, 12 maj – Ende besoj se ekziston mundësia për të hyrë në bisedime më thelbësore edhe me Qeverinë teknike në Bullgari, duke pasur parasysh se Bullgaria dha dritën jeshile për të filluar negociatat në mars të vitit të kaluar, gjegjësisht kur u mor vendim politik, kështu që nuk ka dyshim se ekziston një konsensus mbi vendimin për të filluar negociatat. Mbetet çështja e tekstit të kornizës së negociatave si një parakusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, tha sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez Peter Sijarto.
Osmani paralajmëroi se javën e ardhshme pret një aktivitet më të madh diplomatik në mënyrë që përfundimisht, siç nënvizoi ai, të mund të arrihet një zgjidhje që do të na lejonte të kalonim këtë hap në mënyrë që të mund të hapet konferenca e parë ndërqeveritare në qershor.
“Nuk mund të garantoj se cili do të jetë epilogu i atyre aktiviteteve dhe atyre bisedimeve, megjithatë e di që është në interesin e të gjithëve sepse ky mur imagjinar që është vendosur para Maqedonisë së Veriut tashmë është bërë test i besueshmërisë dhe këtë e dinë vendet-anëtare, por e di edhe Bullgaria dhe në bazë të kësaj do të përpiqemi të gjejmë mënyrë që të arritur deri në një zgjidhje.
Osmani në lidhje me takimet që i kanë pasur në Bruksel tha se edhe një herë është riafirmuar mbështetja për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por edhe se vendi është pjesëmarrësi më i mirë në rajon që meriton t’i fillojë negociatat dhe këtë e thanë të gjithë përfaqësuesit me të cilët dje kishim takim.
Paraprakisht, ministri teknik i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetllan Stoev, i cili e mori detyrën nga shefja e diplomacisë së deritanishme, Ekaterina Zaharieva në kuadër të Qeverisë teknike të Bullgarisë, theksoi se ata nuk kanë kompetenca për të ndryshuar pozicionin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.
Siç tha ai, kjo varet nga Kabineti zyrtar i Bullgarisë dhe nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme do të bëhet gjithçka në drejtim të vazhdimit të dialogut.
Ai theksoi se qeveria teknike e Bullgarisë do të vazhdojë t’u përmbahet pozicioneve aktuale të Bullgarisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, nuk duhet të ketë spekulime se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin bullgar në dy ose tre muajt e ardhshëm sa zgjat qeveria teknike.