Shkup, 15 korrik – Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mbajti takim me ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mari Berns, në të cilin ka biseduar për integrimet euroatlantike të vendit dhe përkrahjen e SHBA-së për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Zëvendëskryeministri Osmani, sip informojnë nga kabineti i tij, e uroi ambasadoren me rastin e emërimit të saj dhe i dëshiroi punë të suksesshme, në drejtim të vazhdimit të bashkëpunimit miqësor në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve, duke theksuar kënaqësi për mbështetje nga ana e SHBA-ve për aspiratat euro- atlantike të vendit.
“SHBA-ja nuk është vetëm partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe mik i rëndësishëm, mbështetja e të cilëve mund të vërehet në të gjithë sukseset e rëndësishme të vendit që nga pavarësia e saj”, theksoi Osmani.
Ai potencoi se Maqedonia e Veriut mbetet partner i besueshëm i SHBA-së në Ballkan, fuqishëm përkushtuar në promovimin e vlerave perëndimore, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
Në takim Osmani dhe Berns diskutuan edhe për mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, në pritje të ratifikimit të Protokollit për NATO nga ana e Senatit muajt e ardhshëm. Osmani theksoi edhe perspektivën evropiane të vendit, duke pasur parasysh se ndodhet në një periudhe të rëndësishëm para marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në në tetor të këtij viti, duke theksuar se mbështetja e SHBA-së është e rëndësisë së veçantë.