Shkup, 21 janar – Qëndrimi i BDI-së është se është koha që Maqedonia të ketë kandidat konsensual për president. Kandidat, që i tejkalon linjat etnike dhe partiake, i cili do të bashkojë dhe do të jetë zëri në momente të krizës, tha zëvendës kryetari i Qeverisë i obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, para takimit me sekretaren e përgjithshme të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), Majlinda Bregu, njofton Koha.
Ai tha se përfaqësuesit e BDI-së gjatë ditëve të ardhshme me partnerët e tyre të koalicionit do të bisedojnë lidhur me kandidatin e përbashkët për zgjedhjet presidenciale.
Në pyetjen rreth harxhimeve financiare për implementimin e Ligjit për gjuhët, Osmani tha se për sigurimin e të drejtave fundamentale nuk ka para të cilat duhet të llogariten, duke theksuar se po tentojnë që maksimalisht t’i shfrytëzojnë kapacitetet ekzistuese.
Lidhur me vendimet e pritura të Komisionit të Venecjes, zëvendës kryetari i Qeverisë tha se gjatë përgatitjes së Ligjit ka pasur korrigjime të caktuara për përdorimin e dygjuhësisë së uniformave të ushtrisë dhe të parave, pasi, siç tha, mund të jetë jashtë Kushtetutës.
“Me qëllim që të mos lëmë dispozitë që është e dyshimtë, që mund të jetë lëndë e masës së caktuar në Gjykatën kushtetuese, vendosëm që ato dy çështje të tërhiqen nga Ligji për gjuhët”, sqaroi Osmani.
Ai tha se nëse Komisioni i Venecjes vlerëson se ato dispozita janë kushtetuese, do të kthehen në Ligj.
“Qëndrimi im personal është se derisa Karakamisheva është përfaqësuese e Maqedonisë në Komisionin e Venecjes, asgjë nuk duhet të dërgohet nga ky Ligj, pasi ajo veçmë po tenton të bëjë ndikim subjektiv lidhur me Ligjin dhe vlerësoj se nuk do të ketë, madje te qytetarët, perceptim të objektivitetit në vlerësimin, megjithatë do të lëmë të bisedojmë këto ditë me partnerët e koalicionit nëse do t’i dërgojmë tani ato dispozita”, potencoi Osmani.
Në pyetjen nëse për BDI-në janë të panueshme zgjedhjet parlamentare, ai u përgjigj se nëse shihet interesi partiak, nuk ka moment më të mirë se, siç tha, nesër të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“Megjithatë, nëse shihet interesi shtetëror, nuk është momenti pasi muajt e ardhshëm janë kyçë për marrjen e datës për fillimin e negociatave, megjithatë edhe për konfirmimin e një dinamike për ratifikimin e protokolleve për anëtarësim në NATO në parlamentet e vendeve anëtare”, tha Osmani.
Ai vlerësoi se nëse shpallen zgjedhjet, me vetëdije do të prishet dinamika për fillimin e negociatave.
“Megjithatë nëse shantazhohemi, mendoj nëse nuk ka zgjedhje parlamentare, do të ketë bojkot të atyre presidenciale, e kjo do të krijojë krizës institucionale, që do të krijojë ndikim më të madh ndaj dinamikës së integrimeve sesa vet zgjedhjet parlamentare, atëherë do të ulemi dhe do të mendojmë”, tha Osmani.