Shkup, 11 mars – Perspektivat e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, si pjesë e rëndësishme në krijimin e të ardhmes evropiane, ishte tema e Mbledhjes ministrore joformale të shteteve kandidate për anëtarësim në BE në Bukuresht, në të cilën mori pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani së bashku me ministra dhe sekretarë shtetëror për Çështje Evropiane në kuadër të kryesimit të Rumanisë, si një nga stacionet rrugore para Samitit të madh përkushtuar ardhmërisë së Evropës që do të mbahet në Sibiu të Rumanisë më 9 Maj.
Në takim, siç kumtoi Sekretariati për Çështje Evropiane u diskutua për perspektivat e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, si pjesë e rëndësishme në krijimin e ardhmërisë evropiane, si dhe u këmbyen përvoja mes vendeve kandidatë në aspektin e sfidave me të cilat ballafaqohen në procesin para-aderues.
“Maqedonia e Veriut është tregim i suksesshëm i Ballkanit – vend që nuk ka çështje të hapura me fqinjët, me stabilitet të brendshëm – politik dhe stabilitet etnik, e cila është në rrugë të sigurt të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s si dhe presim edhe fillimin e negociatave aderuese me Bashkimin Evropian këtë vit”, theksoi Osmani.
Ai e potencoi këtë sukses si pjesë e momentumit të ri Evropian të Ballkanit, integrimi i të cilit në BE do të thotë sukses, i politikës së zgjerimit të BE-së dhe do të kontribuojë në krijimin e një Evrope stabile, të sigurt dhe prosperuese.
Ky takim është i dyti nga sërë takimesh mes BE-së dhe vendeve kandidate për anëtarësim, pas të parit që u mbajt në Vjenë, dhe që janë në drejtim të përgatitjes së vendeve – anëtare, dhe vendeve – kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për Samitin e ardhshëm në Sibiu, Rumani, ku do të përcaktohen drejtimet për dukjen e ardhshme të Unionit. (koha.mk)