Politika represive, e cila vinte në shprehje veçmas në rrethet kufitare, përkatësisht të Dibrës së Madhe, Strugës, Ohrit, Manastirit, Pollogut, Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës dhe e zbatuar nga Qeveria Stojadinoviq, u zbatua edhe ndaj familjes së Hamit Camit, i cili, siç pohon nipi i tij, Naim Aziz Cami, për shkak presionit të vazhdueshëm politik, u detyrua ta vret kapitenin serb, përkatësisht udhëheqësin e xhandarmërisë serbe në Dibër të Madhe. Sipas të gjitha gjasave, vrasja e kapitenit serb duhet të kishte ndodhë gjatë vitit 1935, që më pas Hamiti e lëshoi Dibrën e Madhe për t’u vendosur në Elbasan
Nga Qerim LITA
Atdhetari dhe veprimtari i shquar shqiptar, Osman Cami, lindi në Dibër, në vitin 1920 nga i ati Hamit dhe e ëma Shyrete (Pustina). Në mungesë të shkollave shqipe, shkollimin fillor gjashtëvjeçar e kreu në vendlindje në gjuhën serbo-kroate. Për shkak të presioneve të vazhdueshme jo vetëm politike, por edhe represive, ekonomike etj., nga ana e pushtuesit të atëhershëm jugosllav, shumë familje e figura të shquara shqiptare qenë detyruar t’i lënë vatrat e tyre stërgjyshore, për t’u vendosur brenda kufijve politik të shtetit shqiptar, ose, që ishte edhe më tragjike, të shpërnguleshin në Turqi. Burimet e proveniencës policore, ushtarake e diplomatike të Mbretërisë jugosllave, bëjnë me dije se një politikë e tillë veçmas erdhi në shprehje gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar. Autoritetet jugosllave, të frymëzuar nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, i cili veç tjerash parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre për në Turqi apo Shqipëri, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonat sllave.
“….Për ne është shumë me rëndësi – i shkruante Stojadinoviqi përfaqësuesit diplomatik jugosllav në Ankara – që Ligji turk për kolonizim, parasheh emigrimin në Turqi jo vetëm të turqve, por edhe popullsi të kulturës turke…., për arsye se në këtë mënyrë për ne ekziston mundësia, që krahas turqve, të cilët do t’i shpërngulim nga vendi ynë për në Turqi, të fusim edhe një numër më të madh të shqiptarëve….”.
Për këtë qëllim, Qeveria e Stojadinoviqit, në shtator të vitit 1935 themeloi Komitetin Ndërministror, i cili në tetor të atij viti hartoi “Projektin” për, siç thuhej, “shpërnguljen e elementeve josllave nga Serbia Jugore”. Në të, ndër të tjera potencohej se çështja e shpërnguljes “duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale” midis Jugosllavisë dhe Turqisë, si dhe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ashtu sikurse “kjo çështje është zgjidhur midis Turqisë dhe Rumanisë”. “Në rast se me Shqipërinë – thuhej në vazhdim – nuk do të mund të arrihet marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, ose nëse shqiptarët nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi, menjëherë duhet shkuar në dispozitat ligjore ekzistuese për shpërnguljen e këtij elementi nga zonat kufitare në brendi të vendit dhe popullzimin e zonave të njëjta me popullsi të kombësisë jugosllave….”.
Që shpërngulja e shqiptarëve të jetë sa më e suksesshme e sa më e shpejtë, projekti parashikonte edhe marrjen e masave të domosdoshme, të cilat përfshin këto pika:
“a/ me të gjitha mjetet të thyhet e të pamundësohet çfarëdolloj propagande, e cila nga Shqipëria zhvillohet në mesin e mbarë elementeve kundër shpërnguljes;
b/ nga popullsia jo-sllave të cilët vijnë parasysh për t’u shpërngulur, të kërkohet plotësimi i të gjitha ligjeve e dispozitave, e sidomos ndaj atyre që u përkasin pagesave fiskale /tatimet, nëntatimet, kambialet etj.;
c/ në territorin e Serbisë Jugore, sidomos në rrethet kufitare, të ftohen sa më shpesh për stërvitje ushtarake të obliguarit e ushtrisë operative e rezervë me prejardhje jo-sllave, qoftë për stërvitje dhe manovra, qoftë për shkak ndërtimit të rrugëve strategjike ose objekteve fortifikuese;
ç/ në parim të mos pranohen në shërbim shtetëror /ose vetëshërbim/ persona të cilët vijnë parasysh për shpërngulje, ndërsa ata të cilët tash më janë në shërbim shtetëror /vetëshërbim/, të sistemohen në krahinat ku jeton popullsia nacionale e jonë (sllave – Q. L.);
d/ të zbatohet rreptësishtë parimi për shkollimin e obligueshëm të fëmijëve nga të gjitha trevat në shkollat fillore tona;
dh/ të zbatohen rreptësishtë të gjitha dispozitat për popullzimin e krahinave jugore në pikëpamjen e organizimit të kompleksit të nevojshëm për popullzim, në radhë të parë në rrethet kufitare;
e/ të filloj menjëherë emërtimi i objekteve gjeografike /vendbanimet, lumenjtë, malet etj./ dhe mbiemrat e njerëzve. Kjo u përket edhe mbishkrimeve publike, sipërmarrjeve, reklamave etj.; dhe,
ë/ të gjitha masat e shtruara më lartë të implementohen para së gjithash dhe menjëherë duke filluar nga linja kufitare me Shqipërinë kah brendia e vendit”.
Përsa më sipër, shihet qartë politika represive, e cila vinte në shprehje veçmas në rrethet kufitare, përkatësisht të Dibrës së Madhe, Strugës, Ohrit, Manastirit, Pollogut, Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës. Kjo politikë represive e zbatuar nga qeveria Stojadinoviq, u zbatua edhe ndaj familjes së Hamit Camit, i cili, siç pohon nipi i tij, Naim Aziz Cami, për shkak presionit të vazhdueshëm politik, u detyrua ta vret kapitenin serb, përkatësisht udhëheqësin e xhandarmërisë serbe në Dibër të Madhe. Sipas të gjitha gjasave, vrasja e kapitenit serb duhet të kishte ndodhë gjatë vitit 1935, që më pas Hamiti e lëshoi Dibrën e Madhe për t’u vendosur në Elbasan.
“Osmani – thuhet në një dokument të UDB-së jugosllave – rrjedh nga një familje e pasur tregtare. Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër kanë jetuar në Shqipëri, në Tiranë, ku gjatë asaj kohe së bashku me vëllezërit posedonin një hotel të madh. Në atë kohë politikisht kanë qenë me Zogun…”.
Është me rëndësi të theksohet, se Hamiti, para se ta vret kapitenin e xhandarmërisë serbe, djalin e tij të madh, Osmanin e regjistroi në shkollën Teknike të Tiranës, e cila shkollë deri në vitin 1933, qe mbajt nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Qeveria shqiptare, nën drejtimin e z. Harri T. Fulc (Hyrry T. Fultz), ndërsa nga ky vit, nën preteksin e “reformës së arsimit kombëtar”, kaloi nën administrimin e plotë shtetëror.
Pasi e kreu maturën e ulët, O. Cami një periudhë të caktuar punoi si nëpunës në Fabrikën e Duhanit në Tiranë, ndërsa në vitin 1939 e la punën për t’u angazhuar në tregti. Me kapitullimin e Mbretërisë jugosllave (prill 1941) që, siç dihet, Dibra dhe një pjesë e madhe e tokave shqiptare nën pushtimin e asaj mbretërie iu bashkuan shtetit shqiptar. Osman Cami, sikurse edhe shumë atdhetarë tjerë shqiptarë, la Tiranën, për t’u kthyer në vendlindje, përkatësisht në Dibër të Madhe, ku përveç shtëpisë posedonte edhe një pronë të madhe të trashëguar nga babai i tij, përfshi edhe një han, i cili njihej si “Hani i Hamit Camit”. Nga materialet arkivore që kemi arritur t’i sigurojmë, Osmani nuk u kthye në Dibër, për shkak të pronës, sepse një pronë të tillë, madje edhe më fitimprurëse, e posedonte edhe në Tiranë, por për shkak atdhedashurisë që kishte ai dhe familja e tij ndaj vendlindjes. Në një bisedë që Osman Cami gjatë vitit 1957 e zhvilloi me një kolegë të tij në Spitalin e Dibrës, për të cilin ai nuk kishte njohuri se organet e atëhershme të UDB-ës e kishin angazhuar si informator kundër tij, veç tjerash, bën një përshkrim të shkurtë kronologjik të situatës politike të krijuar në Shqipëri pas pushtimit nga ana e Italisë, si dhe kthimit të tij në Dibër. Lidhur me këtë bisedë, informatori me pseudonimin “Metak Mali”, në raportin e tij dhënë UDB-ës, njësisë në Dibër, ndër të tjera shkruante:
“Më datë 7 shkurt 1957, në spitalin e Dibrës, në dhomën e kujdestarisë…ishim vetëm unë dhe Osman Cami (Mane) nga Dibra dhe biseduam për çështje më të ndryshme. Osmani, ndër të tjera, theksoi se si Italia pasi e pushtoi Shqipërinë, në treg nxori shumë mall me qëllim të përvetësimit të shqiptarëve dhe Shqipërinë ta shndërrojë në koloni. Më pas, Osmani foli se si ai në atë kohë ka qëndruar në Shqipëri dhe ka punuar në polici. Vuri në dukje se kur italianët erdhën këtu, në Dibër i pari ka ardhur ai. Tregonte se si babai i tij ka qenë shumë i përndjekur dhe i torturuar nga klika pushtuese serbe dhe se ka pasur mundësi t’u hakmerret atyre, mirëpo këtë nuk ia ka lejuar ndërgjegjja e tij. Më pas tha se nëse një shans të tillë do t’u ofrohej sllavëve, siç e pati ai, atëherë ata do t’i pastronin të gjithë shqiptarët…”.
Posa u kthye në Dibër, me dekret të komisarit të Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, Fejzi Alizoti, emërohet oficer i policisë shqiptare në Bashkinë e Kërçovës, ndërsa gjatë vitit 1942, transferohet në Bashkinë e Dibrës, e cila asaj kohe udhëhiqej nga intelektuali dhe atdhetari i shquar shqiptar, Shemsi Hatipi. Në këtë detyrë qëndroi deri në dimrin e vitit 1944, kur për shkak se ndiqej nga gjermanët, u detyrua të strehohet në çetën e Uke Camit, e cila çetë asaj kohe vepronte në Sllatinë. Është me interes të theksohet fakti se, lidhur me aktivitetin e O. Camit gjatë LDB-së, dokumentet e shërbimit sekret jugosllav – UDB, ofrojnë të dhëna kontradiktore. Në një dokument të hartuar më 28 shkurt 1950 nga UDB-ja, njësia në Dibër, thuhet shprehimisht:
“Pas kapitullimit të ish Jugosllavisë dhe ardhjes së okupatorit italian, i njëjti kthehet në Dibër ku qe emëruar si nëpunës. Kështu që në atë kohë shpesh herë shoqërohej me karabinierët italian… Me kapitullimin e Italisë, lidhet me bajraktarin Uke Cami, i cili ishte axha i tij dhe së bashku me të organizoi popullsinë shqiptare në luftë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare…”.
Ndërkohë, në dokumentin e hartuar më datë 10 tetor 1957, nga po i njëjti shërbim, vihet në dukje se O. Cami, gjatë LDB-së, paska udhëhequr politikë “të dyfishtë”, përkatësisht se gjoja “një periudhë të caktuar ka qenë me ballistët, i armatosur”, që më pas “të kalojë edhe me partizanët”, “mirëpo thuhet në vazhdim të dokumentit – gjithnjë ka qenë me orientim nacionalist”.
(vijon nesër)