Ish-mesfushori i Çellsit, Oskar ishte fajtor në nxitjen e një sherri masiv në fushën e lojës gjatë ndeshjes së përfunduar në barazim 1-1 mes Shangai SIPG-Guangzhou R&F. Oskar i cili që nga transferimi i tij në Kinë në janar të këtij viti, vijon të përjetojë fate të ndryshme me kulmin e prekur dje, kur ka nisur një sherr masiv në stadiumin “Yuexiushan”. Pasi shërbeu për bashkëkombësin e tij Hulk, për shënimin e golit të barazimit, Oskar u duk se humbi gjakftohtësinë. Kur pritej të përfundonte pjesa e parë, Oskar ka goditur me top jo një, por dy kundërshtarë të tij, çka ka nxitur një përplasje mes futbollistëve të dy skuadrave.
Futbollistët e Guangzhou reaguan egërsisht ndaj brazilianit, për gjestin e këtij të fundit, duke e shtrirë atë në fushë, për të vijuar pastaj me përplasjen mes 22 futbollistëve që ishin në fushë, por edhe atyre në bankina, sikurse dhe të stafeve përkatëse. Sikurse dëshmohet nga fotot dhe pamjet filmike, një seri grushtesh e shkelmash janë shkëmbyer në turmë, ndërkohë që futbollistët e Shangai kujdeseshin edhe për të mbrojtur Oskar, që qëndronte ende i shtrirë në fushë. Kur futbollistët e dy skuadrave u ndanë, arbitri ndëshkoi me karton të kuq nga një futbollist për secilin ekip, por çuditërisht, Oskar, që ishte shkaktari i gjithçka i shpëtoi dënimit. Në barazim numerik, asnjëra nga skuadrat nuk mundi dot të gjejë golin e fitores në pjesën e dytë, për të mbyllur gjithçka në ekuilibër, 1-1.