Shkup, 1 tetor – Dita e referendumit në përgjithësi ishte e qetë dhe mirë e organizuar. Procedurat ishin profesionale, transparente dhe të paanshme, ndërsa fushata e qetë dhe aktive. Këto janë vlerësimet e para të misionit të OSBE/ODIHR-së dhe të Delegacionit të Këshillit të Evropës lidhur me referendumin që u mbajt dje në Shkup. Në konferencën e përbashkët për shtyp, shefi i misionit të OSBE/ODIHR-së për vëzhgimin e referendumit në Shkup, Jan Petersen tha se edhe pse korniza ligjore nuk i ka mbuluar mjaftë të gjitha aspektet e procesit, referendumi u administrua në mënyrë të paanshme, ndërsa liritë themelore janë respektuar. Ai nënvizoi se fakti se nuk ka pasur fushatë të organizuar të obsionit “kundër” ose “për bojkot”, do të thotë se për mediat ishte vështirë të sigurohet mbulim i balancuar, edhe pse ato për votuesit transmetonin informata edhe spektër të gjerë të pikëpamjeve të ndryshme.
Në konferecë për shtyp u theksua se edhe pse autoritetet mjaftë janë angazhuar që të sigurojnë informata publike lidhur me marrëveshjen, megjithatë përmbajtja e saj nuk u sqarua mjaftë. Po ashtu, u përmend mes tjerash se edhe pse nuk ka pasur fushatë aktive “kundër”, sipas vlerësimeve të vëzhguesve, koalicioni nga shoqata qytetare dhe dy partitë më të vogla politike u angazhuan për bojkot përmes tubimeve dhe të mediave sociale, shpesh duke shfrytëzuar retorikë nacionaliste. “Nëse i respektojmë ata të cilët kanë zgjedhur të mos votojnë, patjetër duhet t’i respektojmë edhe ata mbi gjysmë milion të cilët seriozisht e kanë kuptuar referendumin dhe kanë vendosur ta japin votën e tyre për ardhmërinë e vendit”, tha Shtefan Shenah, shef i Delegacionit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në vlerësimin e parë të OSBE/ODIHR-së dhe të APKE-së u theksua edhe çështja e saktësisë së listave zgjedhore me sugjerim deri te autoritetet që kjo çështje, e cila deri tani, siç thanë, është përmendur në raportet e këtyre dy organizatave nga disa zgjedhjet e fudnit, më në fund do të zgjidhet.