Tiranë, 7 gusht – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta sot mori përgjigje nga Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSBE) në letrën e dërguar në 26 korrik, me të cilën u kërkua që organizata “ta luajë rolin e ndërmjetësuesit që të tejkalohet kriza shumë mujore politike në vend”.
Në dokument lartë vlerësohet besimi i Metës ndaj OSBE-së, por potencohet se lehtësimi i dialogut mund të jetë i suksesshëm vetëm në pajtim dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve përmes procesit të gjerë kombëtar.
“OSBE-ja dhe institucionet e saj, brenda mandateve të tyre, do të jenë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për një proces të tillë gjithëpërfshirës. Një mbështetje e tillë mund të përqendrohet për shembull në propozime për reforma konkrete, siç është reforma zgjedhore. Prandaj, ne inkurajojmë të gjitha palët të hulumtojnë së bashku me strukturat ekzekutive përkatëse për ndihmë teknike të synuar, përfshirë në bazë të rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.
Meta, letrën zyrtare deri tek OSBE-ja e dërgoi një ditë pas takimit në Tiranë me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Tomas Gremniger, nga i cili kërkoi që organizata të ndërmjetësojë në krizën politike shqiptare përmes dialogut gjithëpërfshirës, sepse “ky institucion është i nevojshëm dhe mund të pengojë eskalimin e krizës, që mund të jetë rrezik edhe për rajonin”.