Tiranë, 12 mars – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Boshard deklaroi se Organizata e konsideron legjitim Parlamentin shqiptar edhe pas plotësimit të një pjese të vendeve të deputetëve nga të cilat hoqi dorë opozita, me kandidatë të cilët ishin më poshtë në fletëvotime, pwrcjellw gazeta KOHA.
“Ky është proces absolutisht normal. Shikojeni Kodin zgjedhor. Ju ofrohet vend dhe keni të drejtë ta pranoni ose jo. Sipas Kushtetutës suaj, deputeti nuk është i obliguar me kurfarë mandati të detyrueshëm. Anëtarët e Parlamentit, si dhe në demokracitë e tjera, janë të lirë. Ata u përgjigjen votuesve dhe ndërgjegjes së tyre.Në mënyrë konsekuente, votuesit mund të vendosin për fatin e atyre deputetëve në zgjedhjet e ardhshme. Sipas njohurive të mija, as opozita parlamentare e as ajo jashtëparlamentare ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale apo jo. Pa dyshim, ne e inkurajojmë fuqishëm pjesëmarrjen në zgjedhje”, deklaroi Boshard.
Përndryshe, pas heqjes dorë nga mandatet nga 55 nga gjithsejt 62 deputetë të opozitës shqiptare, Komisioni qendror zgjedhor plotësoi dhjetë vende të zbrazëta, pasi që deputetët e ardhshëm nënshkruan deklarata.
Nëse ata i bashkohen shumicës parlamentare, kjo do të mundësonte miratimin e propozim-ligjeve për miratimin e të cilave nevojiten 84 vota.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Tiranë lidhur me protestat e opozitës së bashkuar shqiptare vlerësoi se ajo është e drejtë demokratike, por se ato duhet të jenë të qeta. (koha.mk)