Tiranë, 9 maj – Ambasadori Peter Tayler do të udhëheqë grupin e vëzhguesve në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri. OSBE/ODIHR angazhohet për herë të 13 në një proces zgjedhor të Shqipërisë, kësaj radhe në një krizë politike, ku opozita, nuk është regjistruar, njoftojnë mediat shqiptare. “Vendimi për të marrë pjesë ose jo në zgjedhje i takon partive politike”, tha në lidhje me këtë ambasadori Tayler. Kreu i misionit të vëzhguesve prezantoi nisjen e punës së ekipit që do të drejtojë, por u tregua hermetik për dhënien e një opinioni nëse këto zgjedhje do të jenë demokratike pa opozitën. “Regjistrimi ose jo nuk do të cenojë punën tonë. Ne do të raportojmë për procesin. Opinioni ynë do të jepet në raportin pas zgjedhjeve”, tha Tayler. Misioni i vëzhguesve do të veprojë me një grup prej 39 ekspertësh, 13 prej të cilëve do të stacionohen në Tiranë, ndërsa 26 të tjerët, me grupe prej dy vetë, do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë. Në ditën e zgjedhjeve, 300 vëzhgues do të monitorojnë të gjithë procesin dhe do të furnizojnë ekspertët me informacione sa i takon problemeve që mund të hasen.