Origjina dhe kontinuiteti i një kulti

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i historianit kosovar, Dr. Ylber Hysa, “Madona e Zezë në Kosovë: ndërmjet Dea Dardanicas dhe Kundër-Reformacionit”.

Libri trajton rrënjët komplekse të fenomenit Madona e Zezë, duke i analizuar tipizimet dhe shkollat e interpretimit të këtij kulti; krishterimin e hershëm në Dardani dhe katolicizmin në Kosovë; paralelet e Zojës Cërnagore të Letnicës; transmetimin potencial të kultit nga Dea Dardanica te Madona e Zezë; Kundër-reformacionin dhe sektin e jezuitëve, pastaj ndikimin e Kundër-Reformacionit në kulturën shqiptare, katekizmat, idiomat dhe idetë, misionin e priftit Komuloviç në aktivitetin e tij papal e antiosman, si dhe lëvizjen katolike shqiptare përballë “ilirizmit” sllav.

Monografia e Hysës është specializim mbi një objekt me të cilin ai është i familjarizuar prej kohësh dhe kjo vjen si një kurorë studimore mbi këtë fenomen. Autori ka shfrytëzuar një literaturë të pasur shkencore dhe ka sjellë para lexuesit fakte interesante, hipoteza dhe konstatime, mbi kultin katolik dhe funksionin dhe ndikimin e Kundër-Reformës.

Ylber Hysa (1965) është historian, publicist dhe diplomat i njohur shqiptar. Ai ka botuar studime në revista prestigjioze të botës dhe në libra të ndryshëm si bashkautor. Vepra e parë e tij, “Shqiptarët dhe të tjerët” (botuar më 2009, ribotuar më 2018), është cilësuar nga Oliver Jens Schmitt si vepra më origjinale e historiografisë shqiptare në dekadat e fundit. Po ashtu, historiani Aleksandar Atanasovski e vlerëson lart monografinë e dytë të Hysës.

Ylber Hysa aktualisht është ambasador i Kosovës në Mal të Zi.