Orientimi profesional, kategori ligjore

Shkollat fillore do të jenë të obliguara me ligj të formojnë ekipe të posaçme, të cilët do të punojnë në drejtim të orientimit profesional të nxënësve, konkretisht të ndihmojnë ata dhe prindërit apo kujdestarët e tyre për zgjedhjen e shkollës së mesme dhe profesionit të nxënësve. Për këtë qëllim duhet që shkollat të realizojnë programe përkatëse me nxënësit e klasave të teta dhe të nënta

 

Laura PAPRANIKU

Shkup, 20 prill – Një hallkë e munguar prej kohësh në sistemin tonë arsimor, respektivisht orientimi profesional i nxënësve nga niveli i shkollimit fillor në nivelin e shkollimit të mesëm, pritet të rregullohet me Ligjin e ri të arsimit fillor, që sipas paralajmërimeve, do të jetë gati para shtatorit të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Megjithëse jo i përshkruar në detaje, varianti aktual i tekstit të propozim-ligjit të arsimit fillor bën një përpjekje të konsiderueshme në drejtim të sendërtimit të kësaj hallke, duke i dhënë orientimit profesional të nxënësve tiparin e kategorisë ligjore.

“Shkollat në bashkëpunim me institucionet për orientimin profesional u ndihmojnë prindërve, respektivisht kujdestarëve të nxënësve gjatë zgjedhjes së shkollës së mesme dhe profesionit në përputhshmëri me aftësitë dhe dhuntitë e nxënësve dhe, për këtë qëllim ndjek zhvillimin e tyre si dhe i informon ata për karakterin dhe kushtet e punës për profesione të caktuara”, qëndron në nenin 40, alineja e parë e Propozim-ligjit të arsimit fillor. Ndërkaq, “për ndjekjen e dhuntive individuale të nxënësve dhe dhënien e ndihmës nxënësve dhe prindërve të tyre, respektivisht kujdestarit, gjatë zgjedhjes së arsimit të mesëm dhe profesionit, shkolla formon ekip për orientim profesional të përbërë nga bashkëpunëtorë profesional dhe mësimdhënës”, plotësohet më tej në alinenë e dytë të po atij neni. Në këtë drejtim, sikurse qëndron në Propozim-ligjin aktual, ekipi i lartë përmendur obligohet që të “realizojë program për orientim profesional të nxënësve nga klasa e tetë dhe e nëntë e arsimit fillor”.

Në gjendjen e tanishme të Propozim-ligjit për arsim fillor nuk jepen sqarime nëse këto programet e orientimit do të jenë pjesë e kurrikulës arsimore, apo cilat janë instrumentet për zbatimin atij programi, apo sa konstatimet që do japin ekipet e orientimit të nxënësve do të jenë përcaktuese për orientimin e vërtetë të nxënësve, respektivisht shkolis ku do të zgjedhin nxënësit të vijojnë arsimin e mesëm.

Sidoqoftë, hapi i parë në drejtim të orientimit profesional të nxënësve është bërë, pra MASH ka bërë hapin themeltar duke e trajtuar çështjen si kategori ligjore, ndërsa për ta plotësuar të njëjtit me rregulla dhe detyrime të tjera ligjore, ekspertë e fushës dhe gjithë të interesuarit mund të paraqesin në MASH propozimet dhe sugjerimet përkatëse. Nevoja për rregullimin me ligj të orientimit profesional ët nxënësve, se vjen e bëhet më e ndjeshme. Kjo jo vetëm për shkak të përmbushjes së kërkesave të tregut të punës me kuadrot e munguara por edhe për një zhvillim më të qëndrueshëm profesional të të rinjve.

Të dhënat e shkollave profesionale, si ato të mjekësisë apo ekonomisë ku edhe drejtohen pjesa dërmuese e nxënësve, tregojnë se një përqindje shumë e vogël e atyre që kryejnë këto shkolla vazhdojnë studimet në të njëjtat drejtime. Për shembull, vetëm 5 për qind e nxënësve të shkollës të mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup regjistrohen në fakultete mjekësisë, stomatologjisë apo farmacisë. Pjesa më e madhe e studentëve të këtyre fakulteteve vijnë nga gjimnazet, ndërsa shuam prej atyre që mbarojnë të shkollat e mesme të mjekësisë ose i japin fund shkollimit në këtë nivel ose regjistrohen në fakultetet e gjuhëve të huaja.

Propozim-ligji për arsim fillor ka edhe shumë risi të tjera, sikurse është ai për formimin e paraleleve, fleksibiliteti i vitit shkollor apo ndërprerja e praktikës për organizimin e mësimit ditëve të shtuna. Kjo e fundit, është vlerësuar si jo efikase nga aspekti didaktik, viti shkollor mund të ketë edhe 175 ditë e jo vetëm 180 patjetër, ndërsa numri i nxënësve në klasë nuk do të nis me minimumi 25 dhe maksimumi 34 por nga 20 në 25 nxënës në klasë. (koha.mk)