Ka tashmë 15 vite që merret me muzikë, një zë melankolik që sjellë projekte të mrekullueshme. Rikthehet për herë të katërt në festivalin e fundvitit e këtë herë me këngën ‘Valixhja e kujtimeve’ një fabul që do mbetet gjatë në mendjen e dëgjuesve. Orgesa Zaimi vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku flet mbi planet e saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni publikuar së fundmi këngën më të re me të cilën konkurroni në festivalin e fundvitit në RTSH, na flisni pak më shumë rreth realizimit të këtij projekti?
Kënga “Valixhja e kujtimeve” u realizua në muajin shtator, ftesa erdhi nga Dirigjenti Gridi Kraja, i cili kishte disa kohë që më propozonte një bashkëpunim, e dëgjova në piano dhe më pëlqeu stili i këngës, gjithmonë kam dashur të vij ndryshe në këtë Festival me traditë. Kënga nuk ngjan me asnjë nga pjesëmarrjet e mia në Festival, kjo ka qene arsyeja që e mora përsipër.
KOHA: Teksti është i thellë dhe jeni shprehur se ka të bëj me një ndjenjë të jashtëzakonshme. Çfarë emocioni ju jep momenti kur interpretoni atë?
Për tekstin duhet vleresuar miku im Olti Curri, me të cilin është hera e dytë që marr pjesë në festival, ai i qëndisi kaq bukur fjalët dhe gjithnjë është kënaqësi dhe shumë e lehtë të bashkëpunosh. Kur mendon se mund të humbasësh çfarë ke ose dashurinë që ke të lind një frikë dhe vuajtje e menjëhershme kështu që patjetër ndjesia e humbjes së dashurisë është aty në këtë këngë, e bërë bashkë me muzikën që ka reminishenca nga vitet ’30 patjetër që do ketë emocion, unë gjithnjë emocionohem kur e interpretoj.
KOHA: Vini për të disatën herë në këtë festivali, pse vendosët që ta sprovoni veten sërish në një kompeticion muzikor?
Kjo është hera e katërt që jam pjesëmarrëse dhe gjithnjë e kam vlerësuar seriozitetin e Festivalit, jam rritur duke dëgjuar secilin dhjetor këngët dhe artistët e mi të preferuar, edhe pse koha evoluon apo ecën edhe në pikëpamje elektronike apo teknologjike, më pëlqen që Festivali i Këngës ka ruajtur misionin, të vazhdojë traditën e këngës shqiptare. Shtoji edhe faktorin që është orkestra live.
KOHA: Cilat janë pritshmëritë në këtë festival?
Është gjithnjë e pritshme që secili konkurrent ta projektoj veten fitues, por në rastin tim do të thoSHa që është një pjesëmarrje e pa pretendim, kjo sepse për mua ka shumë rëndësi që të përfaqësoj veten time si artiste dhe të interpretoj këngën ashtu si e meriton. Në këtë vit kaq të brishtë e të pazakontë, e rëndësishme është që të jemi mirë me shëndet dhe të shijojmë të gjitha këngët, pasi ky festival ka shumë prurje dhe vlera gjithnjë.
KOHA: Mendoni se do ju ndjek i njëjti fat si në kompeticione tjera ku edhe keni triumfuar?
Në fakt, jam vlerësuar pothuajse gjithnjë edhe pse pa çmime dhe nuk mund ta mohoj që tashmë ndjehem me fat që jam pritur mirë. Sidoqoftë Festivali dhe ku jam sot në karrierën time do e quaj edhe si arritje sepse kam 15 vjet aktive në muzikën shqiptare, për mua nuk ka rëndësi çmimi, arritje është pjesëmarrja, sepse vazhdoj të jem po aq mirënjohëse për secilën gjë që kam dhe pa pendesë, ndjehem me fat.
KOHA: Keni dëgjuar këngët konkurruese, keni ndonjë favorit?
Duke qenë se një pjesë e mirë e konkurrentëve janë miq të mi të hershëm, disa prej tyre i kam dëgjuar përpara se të shkonin për konkurrim, gjithnjë vlerësoj një këngë të bukur dhe një interpretim me angazhim dhe intensitet. Mendoj që një pjesë e mirë e tyre janë të denja për festivalin, Inis Neziri, Kamela Islamaj, Anxhela Peristeri apo Mirud janë ndër më të preferuarat e mia.
KOHA: Si do të jetë performanca juaj nëse vazhdoni në finale?
Këtë vit në kushtet e një pandemie botërore kanë ndryshuar edhe kushtet e festivalit i cili për herë të parë në historinë e tij rreth 60 vjeçare do të zhvillohet në ambient të hapur, do jetë ftohtë do jetë një sfidë për ne por ndjehem e lumtur që jam pjesë e këtij festivali në këtë vit të vështirë dhe të pazakontë, do të jetë një nga kujtimet që do e ruaj në ‘Valixhen time’, (qesh).
KOHA: Po cilat janë projektet që keni punuar deri më tani apo jeni fokusuar pikërisht tek kënga e festivalit?
Kisha shumë projekte që prej Janarit 2020 por pandemia bëri që shumë plane dhe organizime të më anuloheshin, gjithashtu në muajin tetor kalova Covid 19 bashkë me familjen time dhe mund të ju them që kjo gjë më ndryshoi e më dha shumë të mendoj se sa vrullshëm e jetojmë përditshmërinë dhe jetën, duhet të ndalojmë e të falënderojmë Zotin për jetën që kemi, shëndeti është kaq i rëndësishëm kështu që nëse kemi çdo gjë në rregull projekte, puna e çdo gjë tjetër do të jetë dytësore, në situata të tilla e kupton se s’bëhen kurrë plane.