S.V. Tempo në Dibër arriti më 15 shtator 1943, dhe pasi bisedoi me Haxhi Lleshin, mblodhi menjëherë Këshillin e përbashkët Nacionalçlirimtar, duke i propozuar që në Dibër të ngrihet flamuri maqedonas, me arsyetimin se në atë qytet “jeton minoriteti maqedonas”. Propozimin e Tempos e mbështeti Sulejman Baholli dhe një maqedonas i pranishëm në mbledhje. Pas tyre fjalën e mori anëtari i Këshillit, Edip Tërshana, i cili e kundërshtoi “energjikisht ngritjen e flamurit maqedonas”
Nga Qerim LITA
Pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943), në aspektin politik, Shqipëria ra nën kompetencën e të deleguarit për punë të jashtme për Juglindje, inxhinierit Herman Nojbaher. Ai, me udhëzimet e udhëheqjes së Rajhut, mbronte tezën, se në Shqipëri nuk duhet të organizohehet aparati administrativ gjerman, e as që Shqipëria të trajtohet si zonë pushtuese, por që formalisht t’i pranohet pavarësia dhe në pushtetin e tyre, Shqipëria të mos e ketë statusin e aleatit të rajhut të tretë.
Për rrjedhojë, me nismën e disa intelektualëve dhe nacionalistëve nga mbarë trojet shqiptare, më 14 shtator 1943, në Tiranë u mbajt një kuvend, në të cilin u formua “Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm”, si dhe uvendos të rishpallet pavarësia e Shqipërisë. Kryetar i Komitetit u zgjodh Ibrahim Biçaku, ndërsa anëtarë Eqrem Telhaj, Vehbi Frashëri, Bedri Pejani, Mihal Zallari dhe Xhafer Deva. Në seancën e parë që e mbajti Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, u vendos që të amnistoheshin të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, ndërsa për të burgosurit jo shqiptarë u formua një komision i posaçëm, të cilit iu dha kompetencë e plotë për vendimmarrje.
FORMIMI I LIDHJES II TË PRIZRENIT
Veç kësaj, në seancë u vendos të lëshohet një “Thirrje”, përmes së cilës njoftohej mbarë kombi shqiptarë se: “Simbas vendimit të Kuvendit për shpalljen e pamvarsisë, Komiteti Ekzekutiv Provizor ka marrë në dorëzim drejtimin e punëve të shtetit deri në formimin e Qeverisë”. Më poshtë, në thirrje, kërkohej: “një përkrahje morale dhe efektive” më e zgjeruar, si kusht, siç thuhet në të: “për të mujtë me e përmbushë me fitim misjonin e randë që kemi marrë mbi vedi”. Thirrja përfundonte me fjalët: “Besimi n’ardhmënin e Atdheut, vendimi i premë me i shlye radikalisht gabimet e maparshme, dëshira e jonë me i shërue plagët e randa të popullit shqiptar janë mjetet e vetme që do të përdorën nga Komiteti Ekzekutiv Provizor. Asht detyra e çdo shqiptari me i ardhë në ndihmë Komitetit”.
Dy ditë më pas, në Prizren më 16-21 shtator 1943 u themelua “Lidhja II e Prizrenit”, në të cilën delegatë nga viset e Shqipërisë Lindore ishin: Mentor Çoku nga Struga, Rrustem Ymeri dhe Shahin Cami nga Dibra, Ahmet Lusha, Jusuf Jahja nga Tetova, Remzi Ragibi nga Gostivari, etj. Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit ishin: “Kërkesa për bashkim të përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjitha krahinave të banueme qysh prej mija vjetsh prej popullsisë shqiptare; Zani i përgjithshëm i të gjithë delegatëve nalëson vullnetin e mbarë popullatës së këtyne krahinave, që zë vendin e një plebishiti populluer për kët bashkim. Prandaj kërkojmë shpalljen botnisht të këtij vullneti të shenjtë të banorëve të Kosovës, Dibrës dhe Strugës me Shqipninë; formimi i Komitetit Qendror me seli në Prizren. Komiteti Qendror të hapë degët e saj në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat të krahinave të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, të cilët do të marrin përsipër organizimin ushtarak e politik të Kosovës; mbledhjen e të gjitha dokumentave historike, politike dhe diplomatike që forcojn qënien shqiptare të Tokave të Lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve në kohën e sundimit jugosllav si dokument në rasën e një paqeje të arthme…etj.”. Gazeta “Kombi”, më 23 shtator shkruante se viset e liruara, me anën e një Kongresi të mbledhur në qytetin historik të Prizrenit, shpallën me vullnetin e tyre të lirë bashkimin me Shqipërinë. “Me këtë bashkim, vazhdon gazeta, aspiratat shqiptare në Veri dhe Verilindje u-realizuan deri në skajin e mbramë; në këto dy drejtime kurrgja s’jet jashtë vatrës kombëtare. Fakt ky, historik dhe me randësi të madhe…për të parën herë, prej epokës iliriane, këto vise paraqiten si pjesë të nji shteti shqiptar të lirë e të pavarur…”.
SITUATA POLITIKE-USHTARAKE NË DIBËR PAS KAPITULLIMIT TË ITALISË
Më 8 shtator 1943, në Dibër të Madhe hynë forcat nacionaliste të parisë së Dibrës dhe forcat partizane të batalionit të Haxhi Lleshit. Më 9 shtator në ndërtesën e Prefekturës së Dibrës u mbajt mbledhja e përbashkët e parisë së Dibrës dhe e përfaqësuesve të FNÇSh-së, në të cilën u zgjodh Këshilli i përbashkët Nacionalçlirimtar, ku për kryetar u zgjodh Abdi Golia, ndërsa për anëtarë u zgjodhën: Sulejman Baholli, Haki Shehu, Musa Mullai, Shaban Strazimiri, Muzafer Kallajxhiu dhe Edip Tërshana. Realisht, në Dibër të Madhe pushteti ishte në duart e Komitetit “Bashkimi Dibran”, edhe pse në qytet ishte futur edhe Haxhi Lleshi me partizanët e tij, mirëpo ndikimi i tij ishte shumë i vogël në krahasim me ndikimin e nacionalistëve shqiptarë. Atë ditë, siç përshkruhej në raportin e Kërste Cërvenkovskit dërguar Svetozar Vukmanoviq – Tempo-s, Dibra ofronte një pamje të atillë, ku në çdo hap “valviteshin flamujt shqiptarë. Askund nuk kishte flamur maqedonas, as jugosllav”. Më tej Cërvenkovski shkruante se, krerët nacionalistë dibranë kërkonin mbajtjen e një kongresi në Dibër, në të cilin përfaqësuesit e mbarë krahinave shqiptare do ta zgjedhin një qeveri dhe njëkohësisht ta rishpallin pavarësinë e Shqipërisë. “…Ky qëllim, shkruante Cërvenkovski, nuk është plotësuar për një kohë të caktuar, por në asnjë mënyrë nuk tërhiqen nga i njëjti….”. Në përmbyllje të raportit, vihej në dukje gatishmëria e parisë nacionaliste dibrane me retepartet partizane shqiptare, për bashkëpunimin me misionarët anglezë, për qëndrimin e kreut më të lartë të Ballit Kombëtar, si dhe për marrëveshjen që paria e Dibrës e kishte arritur me Xhemë Gostivarin. “…Një qëllim tjetër i tyre, theksohej në raport, është që të bëjnë grumbullimin e ushtrisë dhe ta dërgojnë në Gostivar, Tetovë, Strugë dhe Kërçovë me qëllim që në këto zona të jenë dominues përballë maqedonasve dhe në rast të një plebisciti këtë pjesë t’ia bashkangjesin Shqipërisë. Ata përpiqen të bashkohen edhe me partizanët, ta shfrytëzojnë fuqinë e tyre ushtarake për qëllimet e veta, bashkëveprojnë edhe me anglezët ndërsa shpresojnë edhe në ndihmën e gjermanëve. Këtu gjenden të gjithë elementet e Ballit Kombëtar, ndërsa ndaj tyre shokët (partizanë shqiptarë – Q.L.) nuk ndërmarrin as çfarrë mase, duke e nënçmuar fuqinë e tyre. Bajraktarët kanë arritur marrëveshje edhe me Xhemë Gostivarin. Kjo për momentin përbën rrezikun më të madh…”.
Kjo situata e krijuar në Dibër pas 8 shtatorit 1943, shqetësoi tej mase edhe Svetozar Vukmanoviq – Tempon, i cili në memoaret e tij shkruan se, pushteti në Dibër të Madhe ishte në duart e nacionalistëve shqiptarë, të cilët, ishintë gatshëm që me armë “ta impononin” ngeljen e atij qyteti në kuadër të Shqipërisë. “Për arsye të një situate të këtillë, shkruan Tempo, vendosa dhe po atë natë u nisa për në Dibër, duke e shfrytëzuar makinën me të cilën kishte ardhur Kërstoja (Cërvenkovski – Q.L.). Kështu, në të hyrë të Dibrës, pas një shkrepje të fuqishme armësh nga ana e atyre që e mbronin qytetin, ne u ndalëm, për të vazhduar rrugën pas bisedës së përcjellësve të mi, të cilët dinin të flitnin shqip”.
Sipas burimeve shqiptare, S. V. Tempo në Dibër arriti më 15 shtator 1943, dhe pasi bisedoi me Haxhi Lleshin, mblodhi menjëherë Këshillin e përbashkët Nacionalçlirimtar, duke i propozuar që në Dibër të ngrihet flamuri maqedonas, me arsyetimin se në atë qytet “jeton minoriteti maqedonas”. Propozimin e Tempos e mbështeti Sulejman Baholli dhe një maqedonas i pranishëm në mbledhje. Pas tyre fjalën e mori anëtari i Këshillit, Edip Tërshana, i cili e kundërshtoi “energjikisht ngritjen e flamurit maqedonas”. Me qëndrimin e Tërshanës u pajtua plotësisht edhe Muzafer Kallajxhiu, dhe si përfundim u vendos “mosngritja e flamurit maqedonas”. Kjo nxiti qarqet komuniste shqiptaro-jugosllave, të cilët shkarkuan Këshillin e përbashkët Nacionalçlirimtar dhe në vend të tij formuan një këshill puro komunist, me Haki Stërmillin kryetar dhe Sulejman Bahollin dhe Musa Mullain anëtarë.
Po në këtë periudhë kohore, oficeri Hends i cili ishte në krye të grupit të oficerëve anglezë pranë batalionit partizan të Dibrës, kërkoi që armatimi, depot dhe të gjitha materialet ushtarake të ushtrisë italiane duhej të ndaheshin midis partizanëve dhe nacionalistëve, dhe se atë ndarje, do ta bënte ai vetë, si përfaqësues i Shtabit Aleat të Mesdheut. Kjo kërkesë e oficerit anglez u hodhë poshtë nga Haxhi Lleshi dhe klika e tij komuniste.
Pikërisht këto veprime të krahut komunist shqiptar dhe atij jugosllavë, shkaktuan prishjen e marrëveshjes trepalëshe të 6 shtatorit të atij viti. Në këto rrethana, paria e Dibrës në bashkëveprim të ngushtë me Mid’hat Frashërin, Hasan Dostin, Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Riza Drinin etj., të cilët asaj kohe qëndronin në Dibër, si dhe me parinë e Gostivarit, Tetovës, Kërçovës dhe Strugës, më 21 shtator 1943 në Dibër të Madhe mbajti një Kuvend, në të cilin u themelua “Komiteti Shqiptar për Lirinë dhe Pavarsinë e Shqipërisë Etnike” (më tej KSHpLPSHE). Kryetar i Komitetit u zgjodh Fiqiri Dine. Ndër krerët e tjerë më të njohur të Komitetit ishin: Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Uke Cami, Riza Drini, Miftar Kaloshi, Halil Alia, Shahin Cami, Kadri Saliu, Shuaip Kamberi, Ali Maliqi, Fik Maliqi, Cen Elezi etj.. Disa ditë më vonë, me nismën e Kadri Saliut dhe Shuaip Kamberit, në Gostivar u mbajt edhe një kuvend tjetër kombëtar, në të cilin u formua Komiteti i Qarkut të Lidhjes II të Prizrenit, në kuadër të të cilit do të veprojnë komitetet e rretheve të Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës. Për kryetar të Komitetit u zgjodh Shuaip Kamberi, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Kadri Saliu, Mexhit Caku, Jusuf Jahja, Islam Izairi, Shaban Saliu dhe Nuredin Mexhiti.
“Komitetet dhe batalioni,thuhej në konkluzionin e dalë nga ky tubim, do të veprojnë jashtë sistemit shtetëror, ata do të kryejnë veprimtari sipas dëshirës dhe vullnetit të popullit shumicë shqiptar nga këto vise për rruajtjen e integritetit të Shqipërisë, dhe do t’u kundërvihen vendimeve të konferencave të Jaltës, Moskës etj., në të cilat Jugosllavisë i janë garantuar kufijtë e mëparshme. Mirëpo ne jemi të obliguar që sërish të dëshmojmë se këto janë vise tona etnike. Bota kulturore perëndimore, e posaçërisht Amerika si vend demokratik, në vitin 1912 nuk e kanë ditur se në këto vise shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë. Në atë kohë Amerika nuk qe përzier, por Anglia, Franca dhe Rusia. Tash është e pamundur që një populli të tërë t’i bëhet një padrejtësi e tillë”.
Është e rëndësishme të theksohet se Lidhja e Dytë e Prizrenit formoi degën e saj edhe në Nënprefekturën eStrugës, me të cilën udhëhiqte intelektuali dhe nacionalisti i shquar i këtyre trevave, Mentor Çoku. Në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, vepronte “Rinia Nacionaliste Shqiptare”, e cila në Prefekturën e Dibrës dhe të Tetovës u formua falë përpjekjeve dhe angazhimit të Mentor Çokut, Shemsi Hatibit dhe Shuaip Kamberit. Në mënyrë të veçantë duhet vlerësuar Komitetin e Qarkut të Tetovës që udhëhiqej nga: Sherif Mina, deputet i Tetovës, Selim Shehabi, Sulejman Shehabi, Idriz Ibrahimi – Cërcëri, Nevzat Rroshi dhe Naxhi Spahiu. Në kuadër të këtij komiteti vepronin seksionet: ushtarake, të agjitacionit, financave dhe transportit. Në komunikatën e këtij komiteti drejtuar opinionit të gjerë shqiptar të Prefektureës së Tetovës, të cilën e botoi gazeta “Zani i Sharrit”, ndër të tjerave thuhet: “Ky komitet sikurse e ka edhe emrin do të organiozojë, mobilizojë dhe do përdorë fuqinë popullore për mbrojtjen e kufijve etnik të tansisë kombëtare. Çdo shqiptar i viseve të lirueme ka me qenë i detyruem me krye barrën e ngarkueme nga ky komitet…”.
SHPËRTHIMI I LUFTËS VËLLAVRASËSE NË DIBËR
Në kohën kur mbahej Kuvendi i Gostivarit, me urdhër të S. V. Tempo-s, disa njësi partizane ishin nisur nga Kërçova në drejtim të Gostivarit, duke u vendosur në Bukovik. Posa marrin vesh, Xhemë Gostivari, Aqif Reçani dhe dy Mefailat me forcat e tyre nisen për Kërçovë, ku në Bukovik zhvillojnë luftime me çetën e Tom Gjelës – Shumski-t, që zgjatën disa orë e që përfunduan me fitoren e forcave shqiptare dhe me marrjen e qytetit të Kërçovës. Gjatë luftimeve vritet Tom Gjela. Duhet theksuar se në këto luftime, forcave shqiptare iu bashkangjiten edhe disa partizanë shqiptarë, të cilët nga dëshprimi për sjelljet e këqija të partizanëve, iu bashkangjiten forcave të Mefail Zajazit.
Me marrjen e Kërçovës, në tërë Prefekturën e Dibrës u vendos pushteti i pastër shqiptar, që shkaktoi panik dhe dëshpërim të madh tek udhëheqja e Partisë Komuniste të Maqedonisë, e cila përmes një letre i ankohej Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovë, për sa më poshtë vijon:
“…Me kapitullimin e Italisë në këtë pjesë të Maqedonisë rreziku kryesor paraqitet nga ana e elementeve shqiptaromadhe, nga fakti se bullgarët tash për tash e kanë refuzuar ta pranojnë këtë territor, ndërsa gjemanët tash për tash nuk kanë forca të armatosura që të sundojnë në këtë territor. Elementet reaksionare-shqiptaromadhe nga radhët e Ballit Kombëtar etj. koncentrohen madje edhe nga Shqipëria e vjetër në territorin e Dibrës, Tetovës, Gostivarit dhe Prizrenit. Disa bashkëpunojnë me gjermanët…, ndërsa disa me kapitenin anglez. Kështu janë kriojuar dy qendra: njëra në Dibër, nën udhëheqjen e Bajraktarëve dhe tjetra në Tetovë…”.
Ndërkohë, në letrën që S. V. Tempo me 1 tetor 1943 ia dërgoi Haxhi Lleshit, kërkonte prej tij: “të ndërmarrë masa të rrepta ndaj reaksionit shqiptaromadh”, për shkak se sipas tij: “ky reaksion në Dibër reflektohet edhe në Kërçovë”. Ai i sugjeronte mikut të tij që, mundësisht, të shkaktonte “përçarje mes tyre, duke përfituar (duke bërë për vete) ndonjë prej tyre, gjithnjë duke pas parasysh që menjëherë të nisë propaganda për etiketimin e të tjerëve”. Tempo kërkonte që Haxhi Lleshi të krijonte në Dibër një “batalion të ri dibran, me ushtarë të përzier shqiptaro-maqedonas, ku, krahas flamurit shqiptar, të valojë edhe ai jugosllav”. E gjithë kjo duhej bërë në frymën e “vëllazërim -bashkimit”. Tempo saktësonte se “pushteti i ri që do të vendoset të jetë kryekëput pushtet komunist, batalioni të udhëhiqet prej sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve vendas”, si dhe, të zbatonte me përpikëri, marrëveshjen e nënshkruar mes Shtabit të Përgjithshëm të LNÇSH-së dhe atij të LNÇM-së, sipas së cilës: “të gjitha territoret shqiptare që ishin bashkuar me Shqipërinë nga viti 1941, llogariteshin si territore maqedonase”, prandaj në ato territore duhej të vendosej pushteti maqedonas.
Rrjedhimisht, Haxhi Lleshi formoi batalionin e kërkuar nga Tempo, i cili mori emrin “Batalioni i Rinisë së Dibrës”, e i cili përbëhej prej dy kompanive shqiptare dhe një maqedonase.Përveç kësaj, ai organizoi një takim të fshehtë me krerët e familjes Ndreu, përkatësisht me Cen Elezin, Xhetan e Beshir Ndreun të cilëve u kërkoi ta braktisnin KSHpLPSHE-në dhe t’u bashkoheshin forcave të FNÇSH-së. Njëkohësisht, Haxhi Lleshi i kërkoi Cen Elezit që xhandarmëria të shkrihej në “Ushtrinë Nacionalçlirimtare” ose me “bandat e tij e të shokëve” dhe të angazhoheshin të gjitha forcat për luftë, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat fqinje të LNÇM-së, ndërsa zgjidhja e çështjes së kufijve t’i lihej: “Kartës së Atlantikut dhe Traktatit të Londrës”. Takimi u mbyll, pa ndonjë përfundim. Cen Elezit ju la 24 orë kohë që të këshillohej me shokët e Komitetit.
Të nesërmen, Cen Elezi, pohoi se do të hynte në luftë, posa të dorëzoheshin depot, nuk pranoi shpërndarjen e karabinierëve, madje kërkoi shtimin e sigurisë dhe paralajmëroi se do të tërhiqte forcat e veta. Po kështu Xhetan Ndreu që ishte i pranishëm në takim deklaroi se “nuk dëshironte të bëhej komunist” dhe se “nuk don të jetë shkaktar i vëllavrasjes”.
Fushata për njollosjen e parisë nacionaliste shqiptare në Dibër, siç thuhet në proklamatën e lëshuar nga Komiteti Shqiptar për “Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë Etnike”, filloi menjëherë pas formimit të këtij komiteti, në kuadër të të cilit u rreshtuan krerët më me ndikim dhe pjesa dërmuese e forcave të Dibrës. Ky realitet, thuhet në proklamatë i “egërsoi keq komunistat, të cillët shpresojshin se do të mujshin dal nga dal t’i inkuadrojn forcat e Dibrës në partin e vet, gja qi ka qen nji shpresë e kot e gabueshme. Filluen pra me atakue me të tana fuqit e veta Komitetin e ri për t’a shkatrrue, tue sulmue së jashtmi, por kjo nuk qe e mundun, dhe atherë filloj nji manevër e re: përpjekja me e shkatrrue për – mbrenda.”.
Ndërkohë, krerët nacionalistë, për t’iu shmangur vëllavrasjes, i tërhoqën forcat e tyre nga Dibra e Madhe, me çka ky qytet ra në duart e komunistëve maqedonas dhe atyre shqiptarë. Por sikur kjo të mos mjaftonte, Tempo urdhëroi që një njësi partizane shqiptare të udhëtonte për në Kërçovë, për të ndihmuar marrjen e këtij qyteti nga ana e Shtabit të UNÇM-së. Në raportin e Sotir Vullkanit dërguar Shtabit të Përgjithshëm thuhej se për në Kërçovë ishin dërguar 200 partizanë, nën komandën e Esat Ndreut. Kjo forcë hasi në rezistencë të madhe nga forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Xhemë Gostivari dhe u detyrua të kthehej në Dibër me humbje të mëdha. Sipas, Vullkanit, Xhemë Gostivari, kishte mobilizuar më se 700 vetë, të armatosur po thuajse të gjithë me armë automatike gjermane dhe se Xhemës i kishte ardhur në ndihmë Muharrem Bajraktari, Selim Noka, Zenel Kotarja dhe Hamzë Rexhepi.
(vijon nesër)