Shkruan: Alketa GJONI, Tiranë
Në shek. XIX. Perandoria Osmane, si rezultat i planeve dhe të ndërhyrjevetë fuqive të kohës si Anglisë, Francës dhe Rusisë, rrezikonte të humbte kontrollin territorial dhe politik mbi shumë zona në Afrikë, Anadoll dhe në Ballkan, që i përkisnin pjesës territoriale të sundimit të saj. Fuqitë e Mëdha. Përballë këtyre zhvillimeve, Sulltan Mahmudi II. vendosi të ndërmarrë reforma që do të sillnin një centralizim të pushtetit në shtetin osman dhe do të parandalonin shkëputjen e popujve në bazë të përbërjes etnike.
Dokumenti i parë që bëri të njohur synimet e reformave u shpall në muajin nëntor të vitit 1839 me Dekretin e Gylhanes nga sulltan Abdulmexhidi. Sipas këtij dekreti, qytetarëve të Perandorisë u sigurohej jeta, nderi dhe pasuria. Në të njëjtën kohë premtohej se do të ndiqej një sistem i drejtë dhe i rregullt në vjeljen e taksave. Për të zbatuar reformat që diktoi ky dekret në aspektet administrative, politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake, u ndje e nevojshme të kishte ndryshime edhe në ndarjen administrative. Kështu më 1864 shpallet Ligji i Vilajeteve, me të cilin do të ruhet ndarja e vjetër (elajet, liva/sanxhak, kaza, nahije), por me një ndryshim ejaleti do të emërtohet vilajet dhe do të drejtohet nga valiu (guvernatori), i emëruar nga qeveria qendrore. Për të arritur zbatim sa më efikas të reformave, vilajeti, që në fillimet e ndarjes së tij zinte një hapësirë më të madhe se ejaleti, u nda në njësi më të vogla. Kjo lloj ndarjeje do të vazhdojë të ruhet edhe me riorganizimin e Ligjit mbi Vilajetet, të shpallur në janar të vitit 1871.
Sulltan Mahmudi II, në kuadër të realizimit të reformave të Tanzimatit, për të përcaktuar gjendjen e potencialit ushtarak dhe ekonomik të Perandorisë, e pa të nevojshme kryerjen e regjistrimit të popullsisë. Regjistrat, që kanë të regjistruar numërimin e popullsisë që u krye mbas shpalljes së Dekretit të Gylhanes, përveç numrit dhe veçorive të popullsisë, na njohin dhe me ndarjen administrative të Dibrës. Në periudhën kohore midis viteve 1845-1867, në regjistrimin e popullsisë të kryer nga Perandoria Osmane, Dibra e ka statusin e kazasë dhe administrativisht bënte pjesë në Sanxhakun e Ohrit të Vilajetit të Rumelisë. Në këto defterë Dibra është e ndarë në Kazanë e Dibrën e Sipërme, krahinat Reka e Madhe, Reka e Vogël, krahina e Gollobordës dhe në Kazanë e Dibrës së Poshtme.
Në vazhdim të reformave administrative të diktuara nga dekreti i Tanzimatit, në vitin 1868 Dibra e fiton statusin e sanxhakut, si pjesë e Vilajetit të Kosovës, dhe kështu do të ndahet në katër kaza: Dibra e Epërme, Dibra e Poshtme, Mati dhe Kazaja e Elbasanit. “Nuk ka dyshim që ky vendim është ndërmarrë më qëllim që t’u jepet fund ngatërresave, të çarmatosë popullsinë në veri të Shqipërisë, për të mbledhur taksat dhe për të marrë rregullisht shqiptarët në ushtri”. Pas njëviti Sanxhaku i Dibrës bëhet pjesë administrative e Vilajetit të Shkodrës dhe, përveç kazave të sipërpërmendura, atij i shtohet dhe Kazaja Kalkandelen (Kazaja e Tetovës). Por në vitin 1873, pasi Manastiri fiton përsëri statusin e vilajetit, Sanxhaku i Dibrës bëhet pjesë e këtij vilajeti dhe përbehet nga katër kaza: Dibra e Epërme, Dibra e Poshtme, Mati dhe Elbasani. Në përputhje me realizimin e reformave të Tanzimatit, Sanxhaku i Dibrës në vitet 1877-1885 shkëputet nga Vilajeti i Manastirit dhe i bashkohet Vilajetit të Kosovës. Ashtu si në vitin 1868, në Sanxhakun e Dibrës bëjnë pjesë Kazaja e Dibrës së Epërme, Kazaja e Dibrës së Poshtme, Kazaja e Matit dhe ajo e Elbasanit. Por, në vitin 1877 Sanxhaku i Dibrës bëhet përsëri pjesë administrative e Vilajetit të Manastirit. Kësaj here brenda sanxhakut bëjnë pjesë Kazaja e Dibrës së Epërme, Kazaja e Dibrës së Poshtme, Kazaja e Matit dhe Kazaja e Rekës. Kazaja e Elbasanit në këtë vit, siç e shohim, është shkëputur nga Sanxhaku i Dibrës. Gjithashtu edhe në vjetarin osmanë (salnâme) të vitit 1909-1910 në Sanxhakun e Dibrës bëjnë pjesë katër kazatë e sipërpërmendura.
Në një tjetër vjetar osman janë regjistruar kazatë së bashku me fshatrat pjesë e Sanxhakut të Dibrës. Sipas këtij regjistri, në Sanxhakun e Dibrës kishte 4 kaza dhe 211 fshatra. Nga këto 113 fshatra i përkisnin Kazasë së Dibrës së Epërme, 35 Kazasë së Dibrës së Poshtme, 36 fshatra Kazasë së Matit dhe 27 fshatra Kazasë së Rekës. Në emërtimet e fshatrave nga administrata osmane vihet re që nuk janë bërë ndryshime, por janë shkruar ashtu siç emërtoheshin në gjuhën shqipe ose sllave. Ndryshime ka vetëm në ndarjen fshat “i epërm dhe i poshtëm” ose “e madhe apo e vogël”, sipas lartësisë ose hapësirës gjeografike që zinin. Gjithashtu mund të vërehen edhe emërtime turke, si për shembull të nahijes Koxhaxhik, që në shqip e ka kuptimin “Lufta e Madhe”, emërtuar kështu për shkak të numrit të madh të dëshmorëve në më shumë se tre mijë, të rënë në betejën e viteve 1447-1448.
Reformat mbi vilajetet, e vitit 1864 dhe sidomos ajo e vitit 1871, u japin rëndësi të veçantë nahijeve si njësi më vete administrative, që formohen nga fshatra ose po çifligje me një numër popullsie që i kalon të pesëqindat. Duke i zbatuar këto reformave, edhe në Sanxhakun e Dibrës kemi formim të nahijes si njësi më vete administrative. Sipas vjetarit statistikor të Manastirit të vitit 1908, në Kazanë e Dibrës së Epërme janë formuar nahija e Koxhaxhikut dhe Kalinës. Në vitin 1910 Kazasë së Dibrës së Poshtme i është bashkangjitur nahija e Peshkopisë dhe është rritur numri i fshatrave nga 35 në 45. Po në këtë vit në Kazanë e Matit nuk ka ndryshuar numri fshatrave që përbënin kazanë, por i është bashkangjitur nahija e Lis-it. Për kazanë e Matit në këto vjetarë nuk ka informacion në lidhje me formimin e nahijeve në të, ndërsa në vitin 1912 – me vendim të Këshillit Drejtues dhe miratim të Sulltanit – në Sanxhakun e Dibrës jepet leje për formimin e 11 nahijeve. Nga këto në Kazanë e Dibrës së Epërme formohet nahija e Grykës së Madhe dhe Grykës së Vogël; në Kazanë e Matit formohen nahijet Mora, Klosi dhe Derjani dhe në Kazanë e Dibrës së Poshtme formohen nahijet si Luznia, Gizna, Kalisi, Çiraku dhe Torobani. Në vitin 1912, brenda Sanxhakut të Dibrës, vazhdojnë të bëjnë pjesë të njëjtat kaza, por shtohet numri i nahijeve – 14 nahije në Kazatë e Dibrës dhe 3 nahije në Kazanë e Matit. Pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912 një pjesë e trojeve shqiptare u pushtua nga forcat ushtarake serbe dhe pushteti serb bëri ndryshime edhe në ndarjen administrative. Dibra në këtë kohë kalon në statusin e kazasë dhe në kazanë e Dibrës së Epërme bëjnë pjesë 6 nahije, në Kazanë e Dibrës së Poshtme bëjnë pjesë 4 nahije, ndërsa në Kazanë e Rekës 3 nahije.
Vjetari i Vilajetit të Manastirit na jep një informacion të gjerë edhe për kufijtë e Sanxhakut të Dibrës dhe kazave të tij. Sipas këtij vjetari, Sanxhaku i Dibrës në pjesën veriore kufizohet nga Sanxhaku i Prizrenit dhe nga një pjesë e vogël e Vilajetit të Shkodrës; nga lindja kufizohet me Kazanë e Kërçovës; në pjesën jugore kufizohet nga nahija e Strugës – pjesë përbërëse e Kazasë së Ohrit, nga Kazaja e Starovës dhe Kazaja e Elbasanit; nga ana perëndimore kufizohet me Vilajetin e Shkodrës. Kazaja e Dibrës së Epërme në anën veriore kufizohet nga Kazaja e Rekës dhe Kazaja e Dibrës së Poshtme; nga ana lindore kufizohet nga Kazaja e Kërçovës dhe Kazaja e Ohrit; në jugë kufizohet me nahijet e Strugës, Kazanë e Starovës dhe Kazanë e Elbasanit; në anën perëndimore kufizohet nga Kazaja e Matit dhe Vilajeti i Shkodrës. Kazaja e Dibrës së Poshtme në veri kufizohet me Sanxhakun e Prizrenit dhe Vilajetin e Shkodrës; nga ana lindore kufizohet me Kazanë e Rekës; nga ana përëndimore me Kazanë e Matit; në pjesën jugore kufizohet me Kazanë e Dibrës së Epërme. Kazaja e Rekës në veri kufizohet me Sanxhakun e Prizrenit; nga ana lindore kufizohet me Kazanë e Kërçovës; nga ana jugore kufizohet me Kazanë e Dibrës së Epërme dhe në perëndim është e kufizuar me Kazanë e Dibrës së Poshtme. Kazaja e Matit në veri kufizohet me Vilajetin e Shkodrës; nga ana lindore kufizohet me kazatë e Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme, nga ana jugore kufizohet me Kazanë e Dibrës së Epërme dhe Vilajetin e Shkodrës; në perëndim kufizohet me Vilajetin e Shkodrës.
Organizimi administrativ
Sulltan Mahmudi II ndërmori reforma të gjera. Qëllimi kryesor i këtyre reformave ishte ta fuqizonin qeverisjen qendrore. Në lidhje me këtë u bënë ndryshime në ndarjen dhe organizimin administrativ. Në këtë periudhë u formuan ejalete të reja dhe në këto ejalete u emëruan në detyrë si marshall, oficerë të gradave të larta të ushtrisë “Asâkir-Mansûre”. Këto emërime bëheshin plotësisht duke u nisur nga qëllime ushtarake. Edhe për trajtimin e aspektit ekonomik pati emërime, por masat që u ndërmorën, si aspektin administrativ, ashtu edhe në atë ekonomik, nuk patën rezultat. Për arsye se problemet vazhdonin, për të plotësuar nevojat në organizimin administrativ të Perandorisë Osmane, u ndje i nevojshëm një ndryshim më rrënjësor. Për këtë arsye me Ligjin mbi Vilajetet, të vitit 1864 dhe 1871, u bënë përpjekje për të plotësuar nevojat emergjente që ishin vënë re në strukturën e vilajeteve.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit të Vilajetit në vitin 1864 filloi edhe një organizim i ri administrativ. Siç u përmend dhe më sipër, me këtë ligj të ri u ruajt struktura e ndarjes së vjetër administrative (ejalet, sanxhak/liva, kaza, nahije), por duke qenë se ne krye të ejaletit u emërua valiu (guvernatori), atëherë ejaleti do të emërtohet vilajet. Qëllimi kryesorë i këtij organizimi të ri ishte fuqizimi i autoritetit të qeverisjes qendrore, duke e shfuqizuar ose neutralizuar kështu autoritetin e derebejler-ëve dhe të krerëve lokalë. Sipas Ligjit të Vilajeteve, drejtuesit e administratës do të ishin përgjegjës për të mbledhur taksat në emër të qeverisjes qendrore, për ta ruajtur rendin e sigurinë dhe për të siguruar mbarëvajtjen e punëve publike. Për të realizuar detyrat në mënyrë sa më efektive, sipas ligjit në fjalë, u formuan institucione drejtuese, si: “Këshilli Administrativ i Vilajetit”, “Këshilli Administrativ i Sanxhakut”, “Këshilli Administrativ i Kazasë” dhe “Kryesia e Pleqësisë së Fshatit”.
Ndryshimet që u bënë në bazë të reformave të reja, e që janë aplikuar edhe në Sanxhakun e Dibrës,bëhen të ditura nga Vjetari i Vilajetit të Manastirit i vitit 1877, i cili është edhe vjetari më i hershëm që dëshmon për ndryshimet në strukturën administrative. Në vijim të këtyre reformave Dibra, duke fituar statusin e sanxhak, e ndryshon edhe strukturën e organizimit administrativ. Në krye të sanxhakut qëndronte Këshilli Administrativ (Meclis-i İdare), që drejtohej nga mytasarrëfi. Përveç mytasarrëfit dhe Këshillit Administrativ, kishte dhe organe të tjera qeverisëse, si: Këshilli i Drejtësisë dhe Gjykata Penale (Meclis-i Hukuk ve Cinâyet), Zyra e Çështjeve Ekonomike (Muhasebe-i Liva), Zyra e Gjendjes Civile (Liva Tahrirat Kalemi), Këshilli Bashkiak (Meclis-i Belediye), Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Defter-i Hâkâni Kalemi), Këshilli i Xhandarmërisë Lokale (Tabur Zaptiye Meclisi) dhe punonjës të tjerë (Memuîn-i Saire). Ky ishte organizimi administrativ sa i përket sanxhakut, ndërsa – siç dihet – sanxhaku i Dibrës përbëhej nga kaza, në krye të të cilave qëndronte kajmekami. Kazatë drejtoheshin nga Këshilli Administrativ (Meclis-i İdâre) dhe Këshilli Gjyqësor. Përjashtim bënte Kazaja e Dibrës së Epërme, ku vërehet dhe funksionimi i Këshillit Bashkiak (Meclis-i Belediye).
Për të kryer funksionimin e shërbimeve administrative, publike, arsimore, ekonomike, tregtare e agrokulturore dhe për të gjetur zgjidhje për problemet që do të mund të shfaqeshin në këto fusha, në organet drejtuese të sipërpërmendura të Sanxhakut të Dibrës ishin emëruar punonjësit përkatës. Ndërkaq deri në periudhën e Tanzimatit në kazatë e Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme drejtonte myteselimi. Si rrjedhojë e hyrjes në fuqi të Ligjit mbi Vilajetet, sanxhaku do të drejtohet nga mytasarrëfi, ndërsa kazatë e sanxhakut nga kajmekami. Në kazanë e Dibrës së Epërme i emëruari i parë si mytasarrëf është Reshid Pasha. Kazatë e Dibrës së Poshtme, e Rekës dhe e Matit nga viti 1876 kanë hyrë në sistemin e kajmakamllëkut dhe, sipas radhës, Kahraman Bej, Xhemal Pasha dhe Hysejin Riza Bej janë emëruar si kajmekamë në këtë vit. Pranë mytasarrëfëve dhe kajmekamëve shërbenin edhe gjyqtari (nâibi), myftiu (müftü), drejtori i financave, (mal müdürü), sekretari i Këshillit (meclis kâtibi) dhe përgjegjësi i Thesarit (sandık görevlisi). Përveç këtyre, që ishin anëtarët e natyrshëm, në këshillin e sanxhakut, me detyrë ngarkoheshin edhe dy anëtarë myslimanë dhe dy anëtarë jomyslimanë të zgjedhur nga popullsia vendase. Në Kazatë e Dibrës së Madhe, Dibrës së Poshtme dhe Kazasë së Matit u mendua e nevojshme ndërtimi i zyrave për administratën. Për këtë qëllim nga ana e shtetit në Kazanë e Dibrës së Epërme u ble një ndërtesë, që do të përdorej enkas për zyrat e administratës. Gjithashtu për një shërbim më efikas dhe modern, në përshtatje me ndryshimet e reja që vinin si nga rritja e popullsisë dhe nga kërkesat për kushte më të mira jetese, u pa e nevojshme formimi i bashkive. Në Sanxhakun e Dibrës i pari që e ka filluar detyrën si kryebashkiak ka qenë Ahmed Efendi në vitin 1876.
Përfundime
Në periudhën e Sulltan Mahmudit II, për shkak të vështirësisë politiko-ekonomiko-ushtarake në të cilat ndodhej Perandoria Osmane, u vendos për ndërmarrjen e një sërë reformash që mendohej të ndikonin në rimëkëmbjen e saj. Me reformat e Tanzimatit, në vitin 1839, Ligjin mbi Vilajetet më 1864 dhe më 1871, ndryshoi struktura e ndarjes administrative të territoreve që ishin pjesë përbërëse e Perandorisë dhe u formuan organe të reja administrative, në krye të të cilave pati të emëruar që ishin përgjegjës për zgjidhjen e problemeve të shfaqura në lidhje me vjeljen e taksave, të ruajtjes së rendit ose në mbarëvajtjen e punëve publike.
Dibra në fillim të shek. XIX ishte me statusin kaza dhe e ndarë në dy pjesë: Kazaja e Dibrës së Epërme dhe Kazaja e Dibrës së Poshtme. Si pasojë e këtyre reformave të ndërmarra, ajo e merr statusin sanxhak dhe herë është pjesë e Vilajetit të Kosovës dhe herë pjesë e Vilajetit të Manastirit, pjesë përbërëse të të cilit janë Kazaja e Dibrës së Epërme, e Dibrës së Poshtme, Kazaja e Rekës dhe Kazaja e Matit. Me statusin kaza, e drejtuar nga mytesellimi, me fitimin e statusit sanxhak drejtuesi i saj bëhet mytesarrëfi dhe për kazatë kajmekam. Gjithashtu u formuan dhe këshilla përkatës që kujdeseshin për çështjet administrative, ligjore, ekonomike, të tregtisë etj. Në këtë punim ndryshimet që pësoi zona e marrë në studim janë studiuar duke u bazuar kryesisht në literaturën e periudhës për të cilën kemi bërë analizën.