Oslo, 22 shtator – Fituesit e Çmimit Nobel të këtij viti në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe ekonomi nuk do të udhëtojnë në Stokholm për herë të parë që nga viti 1944 për t’i pranuar çmimet e tyre për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri, kumtuan organizatorët.
Në vend të ceremonisë në kryeqytetin suedez, fituesit do t’i marrin medaljet dhe diplomat në vendet ku ata jetojnë, thuhet në kumtesën e Fondacionit Nobel.
Çmimet tradicionalisht ndahen më 10 dhjetor, ditën e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili e themeloi çmimin. Në atë ditë, televizioni suedez do të transmetojë emision në të cilin do të transmetohet ndarja e çmimeve të këtij viti në pjesë të ndryshme të botës, publikoi Fondacioni Nobel.
Komiteti norvegjez i Çmimit Nobel, i cili e organizon Çmimin Nobel për Paqe në kryeqytetin norvegjez Oslo, publikoi se ceremonia e këtij viti nuk do të mbahet në Kuvendin e Qytetit për shkak të pandemisë, por në sallën e universitetit ku u ndanë çmimet nga viti 1947 deri në vitin 1989.
Do të ketë një numër të kufizuar njerëzish në ceremoninë në Oslo, ndërsa tubimi, i cili mbahet tradicionalisht pas ndarjes së Çmimit Nobel për Paqen, është anuluar.
Fituesit e Çmimit Nobel publikohen në tetor, ndërsa ceremonitë mbahen tradicionalisht më 10 dhjetor në Stokholm dhe Oslo.