Organizatat humanitare ndër më të vjetrat në vend të cilat veprimtarinë e tyre e realizojnë jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por gjatë gjithë vitit, edhe kësaj here do të përkushtohen për të ndihmuar në mënyra të ndryshme qytetarët në nevojë
Aida XHONI
Shkup, 15 maj – Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, organizata të ndryshme humanitare veçmë kanë filluar aktivitetin e tyre humanitar për të ndihmuar ata që më së shumti kanë nevojë për ndihmë.
Mbi 1 miliard mysliman nga e gjitha bota të mërkurën më 16 maj nisin agjërimin. Organizatat humanitare ndër më të vjetrat në vend të cilat veprimtarinë e tyre e realizojnë jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por gjatë gjithë vitit, edhe kësaj here do të përkushtohen për të ndihmuar në mënyra të ndryshme qytetarët në nevojë. Ali Sadiku, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Humanitare “El-Hilal”, tha se edhe këtë vit vazhdojnë traditën e nisur që prej vitit 2003, si organizim iftaresh, ndarje pakosh ushqimore dhe organizim tribunash.
“Viteve të kaluara kemi arritur të sigurojmë pako ushqimore për rreth 2500 familje, edhe këtë vit presim nga donatorët të japin kontributin e tyre për të realizuar këtë qëllim dhe ta shpërndajmë ushqimin tek familjet skamnore që i kemi në listat tona. Edhe Sofrën e Ramazanit siç e realizojmë tradicionalisht që nga viti 2003/2004, do të tentojmë ta realizojmë për çdo natë”, tha për KOHA, Sadiku. Në të njëjtën vijë janë edhe aktivitetet që organizon Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”. Kreu i kësaj shoqate, Rufat Sherifi, tha se do të organizojnë iftare, ndarje të pakove ushqimore, si dhe në fund – veshmbathje për fëmijët me rastin e Fitër Bajramit.
“Sipas planit tonë, vjet kemi pasur mbi 4 mijë pako edhe sivjet presim të kemi numër të ngjashëm, është paraparë që të përfshihen më shumë qytete të Maqedonisë. Pakot do të jenë të kategorive të ndryshme, shpresojmë një pako e tillë tu ofroj mundësi për një ose dy javë që të kalojnë ditët e ramazanit. Mbi 1000 persona pritet të jenë përfitues nga iftaret në disa qytete, Shkup, Tetovë,Kërçovë, Dollnen e të tjerë”, tha Sherifi. Sipas kalendarit myslimanë (takvimit), pra muaji i Ramazanit do të fillojë me 16 maj (e mërkurë). Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman ka për detyrim të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji për njerëzit në nevojë. (koha.mk)