Organet e vetingut në Shqipëri, ashtu siç ishte paralajmëruar në shtator kanë nisur punën, për të shqyrtuar dosjet e njerëzve të drejtësisë, duke përuruar godinën ku ata do të vendosen. Siç njoftojnë mediat vendore, të pranishëm në ceremoninë e përurimit të vetingut, ishin edhe dy promotorët e reformës në drejtësi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu si dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin. Ambasadori Lu deklaroi se pavarësisht lajmeve të këqija që ka në botë, sot është një ditë shprese për Shqipërinë.
“Anë e mbanë botës kemi kaq shumë lajme të këqija dhe sot është një ditë për shpresë në Shqipëri”, deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu. Nga ana e saj, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin deklaroi se dita e sotme është mjaft e rëndësishme për Shqipërinë, pasi sipas saj ka nisur vetingu. Madje Vlahutin theksoi ndihej shumë e lumtur që po shikonte një staf të dedikuar në institucionet e vetingut.
“Jemi të lumtur që sot është inauguruar kjo ndërtesë. Është një ditë e rëndësishme për të gjithë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur dhe po shohim edhe një staf të dedikuar në institucionet e vetingut. Jemi shumë të lumtur, sepse në një far mënyre reforma ka startuar”, deklaroi ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, ndër të tjera në fjalën e saj.