Përjashto raportet për Prokurorinë Speciale Publike dhe Avokatin e Popullit, që zgjuan debat në publik, e njëjta nuk ndodh me raportet vjetore të komisioneve dhe agjencive të pavarura shtetërore. Zakonisht, puna e trupave të pavarur rregullator ka qenë objekt i kritikave të partive opozitare, por që kur kanë ardhur në pushet – nuk janë shquar për transparencën e këtyre organeve
Fatos RUSHITI
Shkup, 24 maj – Në Parlamentin e Maqedonisë është bërë praktikë një kohë të gjatë që trupat e pavarur rregullator të raportojnë për punë e tyre deri gjashtë muaj me vonesë apo më shumë se kaq. Përjashto raportet për Prokurorinë Speciale Publike dhe Avokatin e Popullit, që zgjoi debat në publik, e njëjta nuk ndodh me raportet vjetore të komisioneve dhe agjencive të pavarura shtetërore, shkruan gazeta KOHA.
Zakonisht, puna e trupave të pavarur rregullator ka qenë objekt i kritikave të partive opozitare, por që kur kanë ardhur ne pushet – nuk janë shquar për transparencën e këtyre organeve. Kjo ka ndodhur siç duket më shumë për shkak të delegimit të ushtarëve partiak në Këshillat drejtuese dhe nga ana tjetër, deputetët nuk kanë dashur shumë të turbullojnë ujin për punën e tyre dhe rrallë kanë ndodhur që të mos votojnë raportet vjetore të trupave rregullator. Kryetari i Komisionit parlamentar për mbrojte dhe siguri, Hari Lokevenec, deputet i LSDM, pranon faktin se tek trupat rregullator ka dobësi të shumta në udhëheqje, ndonëse sipas tij, rregullativa ligjore është në masë e standardizuar me rregullativën e BE-së.
Ai e merr shembull Raportin e Pribes, ku hasen kritika për Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike. “Nuk mund të përjashtohen gabimet as në delegimin e anëtareve në Këshillat drejtues, por ju e dini si kanë vepruar VMRO për dhjetë vite, duke partizuar çdo gjë në shtet. Ne po mundohemi të realizojmë si duhet funksionin kontrollues të Parlamentit, por ende ka shumë punë për tu bërë. Një hap të madh kemi bërë me standardizimin e raporteve vjetore, ndërsa më pas do të shohim me ndryshimin e rregullores që të munden deputetët të kenë mekanizma kontrollues përmes vizitave në këto trupa apo në forma tjera të njihen më për së afërmi me punë e tyre”, thotë për gazetën KOHA, Lokvenec.
Siç thotë ai, edhe përskaj agjendës së ngarkuar të garniturës qeverisëse për çështjen e emrit dhe reformat në vend, kjo – thotë Lokvenec, nuk u pengon të kërkojnë performancë më të mirë në trupat e pavarur rregullator. Në këtë drejtim, sipas tij, duhet punuar më shumë tek Komisioni për antikorrupsion me qëllim që të pengohet korrupsioni dhe nepotizmi në trupat e pavarur rregullator.
Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA thotë se ndër partitë që shquhet më shumë për ushtarë partiak në udhëheqjen me trupat rregullator – është pikërisht BDI. “Siç e dimë, deputetët nuk janë lëshuar shumë në biografitë personale nëse ka dikush shkollim përkatës specializimi në fusha specifike, por a është i dëgjueshëm i partisë dhe nëse u shkon për shtati funksionarëve partiak. Kjo ka bërë që VMRO çfarë ka dashur ka bërë në terrenin e vet dhe nga ana tjetër, BDI-së nuk i ka kërkuar llogari për punë apo mos punën e trupave rregullator, por vetëm për zhvatjen e parave”, thotë deputeti Zendeli.
Ai thekson më tej se nuk sheh se ka lëvizje për të mirë në drejtim të kontrollit dhe mbikëqyrjes së mirëfilltë në punën e trupave rregullator. “Edhe Qeveria tani hesht edhe pse këta trupa janë të themeluar dhe i përgjigjen Parlamentit, ajo mundet në çdo kohë të vizitojë ato dhe të njihet me brendinë e funksionimit tyre. Kjo nuk ndodh për shkak se dikush i afërt i ndonjë ministri apo funksionari të lartë partiak është anëtar në borde drejtuese”, thekson për KOHA, Zendli.
Por me kritikat e Zendelit nuk pajtohet shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi. Sipas tij, partitë shqiptare opozitare flasin kot për njerëz të deleguar të BDI-së pa dhënë ndonjë analizë, siç thotë ai, të bazuar në të dhëna konkrete për punën apo mos punën e dikujt në ato trupa. “Partitë shqiptare opozitare shpesh ndodh që nuk dinë çka flasin, lëshojnë llafe kot se BDI nuk çon ekspertë apo njerëz adekuat në komisione të pavarura. Besoni, ata nuk i dinë dhe as nuk kanë haber se çfarë punojnë komisionet apo Agjencitë e pavarura. Nuk i dinë kompetencat e tyre, as nuk kanë njohur se çfarë biografi kanë njerëzit që ka deleguar BDI. Ata dinë vetëm të thonë ‘s’bën aty e s’bën këtu’, pa dhënë ndonjë analizë të bazuar në punën apo mos punën e dikujt. Meqë nuk dinë, prandaj edhe janë aty ku janë”, thotë Alimi nga BDI.
Ndryshe të mërkurën në seancë plenare është votuar për kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Letra me Vlerë kur për kryetar është propozuar ish-deputetja e BDI-së, Nora Haliti. Përveç kësaj, në seancë plenare ka nisur shqyrtimi i Raportit vjetor për punën e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017; Raport për aktivitetet e Prokurorisë Publike për ndjekjen e veprave penale të lidhura dhe të cilat rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve për periudhën prej gjashtë muajsh (për periudhën prej 15.09.2017 deri më 15.3.2018); Raporti vjetor për punën e Komisionit për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë te Informatat me Karakter Publik për vitin 2017; Raport vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënies së Punës në Shkallë të Dytë për vitin 2017, Raport vjetor për punën e Agjencisë së Administratës për vitin 2017; Raport vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Shkallë të Dytë në Sferën e Mbikëqyrjes Inspektuese dhe Procedurës së Kundërvajtjes për vitin 2017;Raport vjetor i Avokatit të Popullit për shkallën e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2017. (koha.mk)