Një vajzë 13-vjeçare që ka humbur jetën nga një sëmundje e trurit ka thyer rekord duke shpëtuar 8 njerëz me dhurimin e organeve. Jemima Layzell vdiq në 2012 dhe dhuroi zemrën, pankreasin, mushkëritë, veshkat, zorrën e vogël dhe mëlçinë. Prindërit e saj thanë se ajo ishte shumë e zgjuar dhe e dashur prandaj do ishte krenare për këtë gjë. Sipas BBC, asnjë dhurues tjetër nuk ka ndihmuar kaq shumë njerëz, shkruan oranews. Jemima u ndje keq ndërsa po bënte përgatitjet e festës së ditëlindjes të nënës së saj dhe vdiq pas 4 ditësh në spitalin e fëmijëve në Bristol. Zemra, zorra e vogël dhe pankreasi ndihmuan tre persona, ndërsa veshkat i morën dy të tjerë. Mëlçia u nda në dy pjesë për dy persona dhe mushkëritë u transplantuan në një pacient. 5 prej tyre ishin fëmijë. Në rastet normale, dhurohen 2-6 organe, por ky rast ishte tërësisht i veçantë.