Ligji i ri i arsimit parasheh mësim në shtëpi për nxënësit të cilët për shkaqe shëndetësore do të mungojnë më shumë se tre jave. Mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare dhe organizohet nga shkolla
Remzije BILALLI
Shkup, 4 dhjetor – Nxënësit të cilët do të mungojnë për një periudhë më të gjatë kohore, shkolla në të cilën nxënësi mëson duhet të organizojë orë mësimore për këtë nxënës në shtëpi. Kjo risi në Ligjin e ri për arsimin fillor ka ngatërruar shkollat. Pas mungesave së vazhdueshëm të nxënësve në shumë shkolla, stafi shkollor nuk e di nëse dhe si mund të arrihet kjo, veçanërisht me lëndët mësimore. Kur dhe si do të zbatohet ky lajm, as drejtorët nuk e dinë, shkruan gazeta KOHA.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit shpjegon se kjo pjesë e Ligjit do të zbatohet pasi të miratohet rregullore e përshtatshme që do të përcaktojë mënyrën e mësimit në shtëpi. Deri atëherë do të vlejnë rregullat e vjetra, nxënësi i cili mungon më gjatë duhet të kaloj provimin klasor.
Nenin 15 i ligjit të ri për arsimin fillor rregullon vendin e organizimit dhe realizimit të arsimit fillor. Përveç organizimit në shkollat fillore, gjegjësisht institucionet shëndetësore, institucionet ndëshkuese dhe korrigjuese, mësimi do të zhvillohet edhe në shtëpi. Kjo është një risi e re e cila deri me tani nuk ka qenë e paraparë me ligj. “Shkolla do të organizojë proces arsimor në kushte shtëpiake si një formë e veçantë e punës për nxënësit të cilët janë për një kohë më të gjatë në shtëpi për shkak trajtimit mjekësor. Për nxënësit, të cilët për shkak problemeve më të mëdha shëndetësore ose sëmundjeve kronike nuk mund të ndjekin orët mësimore për më shumë se tre javë, mësimi për ta do të organizohet në shtëpi. Prindi ose kujdestari duhet të njoftojë shkollën për të zhvilluar procesin arsimor në shtëpi për nxënësin i cili është në trajtim shtëpiak ose spitalor për një kohë më të gjatë “, thuhet në ligj.
Mësimet të cilat duhet të ndjekin nxënësit do të zhvillohen në gjuhën amtare dhe do të organizohen nga ana e shkollës ku mëson. Por si duhet të organizohet ende nuk është e rregulluar. “Mundet të ketë mësim klasor, por mësim për lëndë besoj do të jetë e vështirë. Ndërsa ende nuk kemi biseduar me mësimdhënësit sa i përket kësaj teme”, theksoi drejtoresha Suzana Nastovska për gazetën KOHA. Shumica e drejtorëve të cilët u kontaktuan nga gazeta KOHA, nuk kishin njohuri sa i përket ndryshimit të Ligjit në këtë segment.
Drejtoresha Elka Daskalova nga Shkolla Fillore “Vlado Tasevski” të Shkupit, theksoi se është në dijeni të Ligjit, mirëpo nuk ka udhëzime se si duhet ta zbatojë atë. “Në këtë Ligj nuk shkruan se si duhet të zbatohet. Nga klasa e parë deri në të pestën duket më e thjeshtë për t’u zbatuar. Deri më tani,nxënësit të cilët kanë lëshuar 20 për qind të mësimit në gjysmë vjetorin e parë duhej të kalonin provimin klasor. Për të ardhmen, presim udhëzime”, thotë Daskalova. Nga Byroja për Zhvillim të Arsimit thonë se në bazë të dispozitave kalimtare dhe përfundimtare të Ligjit aktet nënligjore, duhet të hartohen brenda një viti nga miratimi i Ligjit.
“Byroja ka formuar një grupin e punës i cili punon në këtë drejtim, ku do të përshkruhet mënyra, kriteret e hollësishme dhe mënyra e organizimit të procesit mësimor në shtëpi. Pasi të përfundojë procesi, d.m.th. kur Ministri miraton Rregulloren, do të njoftohen të gjithë”, sqaruan nga Byroja. Ndërsa siç theksuan nga kjo Byro, për këtë vit do të vlejë ligji i vjet për të gjithë nxënësit të cilët mungojnë. (koha.mk)