Reflektimi duhet të jetë për përgjegjësinë, të secilit nga ne. Por më shumë nga të gjithë duhet të reflektojnë zyrtarët, nëse munden, të cilët nuk ka si t’i ikin përgjegjësive në këtë rast. Dorëheqjet nuk janë dot ngushëllim, por një reflektim mbi përgjegjësitë, mbi veprimet që direkt ose indirekt i prekin edhe ata. Qoftë edhe si gjest ngushëllimi, që nuk do mjaftojë asnjëherë për humbjet e të afërmve, por të paktën si një gjest bashkëndjenje aq sa mundet. Të paktën si një gjest që mund të ishte shembull veprimi, e që do ishte si pjesë e reflektimit, se përgjegjësia do duhet të jetë parësore
Nga Nazim RASHIDI
U lodhëm! U lodhëm në vuajtjen tonë për ikje që nuk do duhej të ndodhnin.
Përherë më ka pikëlluar vdekja dhe vdekjet kur ndodhin në formë e çaste që duket se mund të ishin shmangur. Si Kovidi, për shembull, një flamë e poshtër që erdhi dhe mori aq shumë njerëz e nëse nuk do ishte, shumë të afërm, miq, familjarë, motra, vëllezër, prindër do ishin ende mes nesh. A nuk të shkatërron plotësisht kjo ide, se ata do duhej të ishin mes nesh vetëm nëse virusi i pa dukshëm mos ishte, mos ishte shfaqur?
Por kjo duket asgjë, as edhe mund të perceptohet, me tragjedinë të papërshkrueshme me fjalë që ndodhi në Tetovë. Dhe ku, në një spital.
Tmerri s’paska fund, rrathët e Dantes qenkan edhe më të flaktë dhe ato i jetojmë këtu.
S’ka fjalë dikush që mund të përshkruajë vdekjet aq mizore në një vend që duhet të japë shpresë, siç janë spitalet.
Askush, po askush, as edhe më të këqijtë mes nesh, as vrasësit e tmerrshëm e pa mëshirë, as ata që shkaktojnë masakra të pafajshmish, nuk duhet të vdesin në formën siç vdiqën njerëzit e pafajshëm, në një spital, duke kërkuar jetë, duke shpresuar, duke dëshiruar gëzimet dhe gjithçka që do duhej të kishte përditshmëria e tyre.
Por jo. Ikën në formën që as armiqve dhe hasmërive më të poshtër nuk do ju dëshirohej.
Dhe çështja është se çfarë bëhet më pas?
Si jetohet një ditë, dy ditë më pas?
A u dilet përballë dot familjarëve?
Çdo ikje, rrëfim më vete, po aq pikëllues, po aq përvëlues.
Po tani?
Ne na ndërton çdo përvojë, e jona personale, por edhe e përbashkët. Nuk e di nëse personalisht dhe së bashku gjejmë dot mësime nga kjo tragjedi, ekot e të cilës ende nuk i heq dot nga koka e veshët.
Pyetjet që rendin, për “pse”-të, e tragjedisë, kanë një kryefjalë. Ajo është përgjegjësia.
Por, s’po e shohim.
Shikoni miq, është e thjeshtë.
Një spital është djegur, 14 vetë kanë humbur jetën.
Aq.
A duhet më shumë.
Është shkrumbuar një spital!
Është djegur një vend i cili do duhej të ishte më i sigurti dhe i cili do duhej të sillte gëzim, e jo flakë ferri që po djegin çdo dinjitet.
Kjo nuk është kohë për cinizëm, lexova apo dëgjova dikë. Por ne jetojmë cinizmin në vazhdimësi. Dallimi është se tani na u shtua dhe dhimbja.
Sigurisht që duhet forcë për të vazhduar më tej. Dhe jeta do rrjedhë. Familjarët do mësohen të jetojnë me dhimbjen. Dhimbja do kalisë atë në forma të pashlyeshme. Dhe të gjithë do shohim vraga e rrudha që na lanë çastet që as i deshëm e as i menduam.
Por ç’do mësojmë?
A mësojmë dot nga një ngjarje si kjo?
A nuk ishte dhe kjo tragjedi, ose a nuk do dalë edhe kjo si shumë të tjera që do stërzgjaten në raporte e procedura e ku përgjigjet sërish do mungojnë?
Ndjesisë fataliste nuk i ik dot. Por edhe idesë së përgjegjësisë së munguar tek e gjithë shoqëria ku bëjmë pjesë edhe unë, edhe ti.
Arrijmë dot të bëhemi më të përgjegjshëm se dje?
Kjo shtangie e madhe shoqërore që na ka pllakosur me dhimbjen, a arrin dot të nxisë përgjegjësinë tek secili nga ne.
Jo më larg se dje isha në një zyrë ku i punësuari nuk ishte aty dhe pse duhej të ishte aty, sepse nëse ndodhte diçka, mungesa e tij, e veprimeve të tij, do sillte një kolaps në punën që bënte. Nuk do sillte humbje jetësh, por një kaos në institucion.
“Pse s’je te vendi i punës?”, e pyeta.
Përgjigja ishte, “nuk ndodh gjë për pak minuta!”
A nuk ndodh vërtet? …
Dhe s’është çështja te moralizimi. Aspak, madje është patetizëm tani. Por tek mendësia që kishte përsoni në fjalë, apo që kemi të gjithë e që lidhet me qasjen tonë drejt përgjegjësisë. Që fillon nga vonesat në takime që i marrim si normale, nga parkimi keqi makinave, nga hedhja e plehrave në rrugë, tek uzurpimet e hapësirave të përbashkëta, e deri tek ikja nga zyrat, moskryerja e detyrave në punë, e kulmon tek drejtorët e ministrat, që janë një mbindërtim ose reflektim i kësaj kulture papërgjegjshmërie që e shohim kudo.
Në mort kryesisht heshtet, sidomos në zi të rënda ku pak kush gjen edhe guxim edhe fjalë të thyejë heshtjen, tek e cila të gjithë mbështeten me shpresë se do mbulojë sado pak edhe dhimbjen.
Dhe në këto çaste heshtjeje kolektive, duhet pak reflektim.
Reflektimi duhet të jetë për përgjegjësinë, të secilit nga ne.
Por më shumë nga të gjithë duhet të reflektojnë zyrtarët, nëse munden, të cilët nuk ka si t’i ikin përgjegjësive në këtë rast. Dorëheqjet nuk janë dot ngushëllim, por një reflektim mbi përgjegjësitë, mbi veprimet që direkt ose indirekt i prekin edhe ata. Qoftë edhe si gjest ngushëllimi që nuk do mjaftojë asnjëherë për humbjet e të afërmve, por të paktën si një gjest bashkëndjenje aq sa mundet. Të paktën si një gjest që mund të ishte shembull veprimi, e që do ishte si pjesë e reflektimit, se përgjegjësia do duhet të jetë parësore. Duhet të vijë si gjest shprese, sado e vogël e mosbesuese, se mund të ketë vijimësi edhe pas shtangies që solli ngjarja e Tetovës. Duhet të vijë si gjest se njerëzorja është ende mes nesh!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)