Orë deçizive në Romë, Panucci në pritje të telefonatës

Eliminimi nga Champions përballë Portos ka bërë që te Roma të mendojnë seriozisht për të shkarkuar trajnerin Eusebio di Francesco, i cili megjithatë është mbrojtur si nga drejtori sportiv Monchi, ashtu edhe presidenti Pallotta, që e ka quajtur “një m…” atë që ndodhi dhe përdorimin e gabuar të VAR në Europë.

Skuadra është ende në anën e trajnerit Di Francesco, por drejtuesit e klubit duan një “kokë turku” për t’i hequr alibitë skuadrës, që të tregojë veten në këtë pjesë të mbetur të sezonit. Në fakt, vendi i katërt në renditje është objektivi i vetëm i mbetur dhe deçiziv për skuadrën verdhekuqe.

Në të gjithë këtë histori, ai që “lutet” është trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Christian Panuçi. Tekniku i stolit kuqezi ndodhet pikërisht në Romë këto ditë dhe pret telefonatën deçizive nga ana e drejtuesve, më saktë nga drejtori sportiv Monchi ose zëvendës presidenti Baldissoni, që megjithatë do të donte Donadonin dhe madje kanë pasur edhe një bisedë mes të dyve.

Ndërkohë, një emër tjetër që gjen kandidaturën e duhur është ai i Claudio Ranierit, i saposhkarkuar nga Fulhami. Ranieri ka drejtuar verdhekuqtë në të shkuarën dhe e njeh mirë ambjentin.