Optimizmi fillestar, nuk mbulon brengosjen e BE për, siç thuhet, ende gjendjen e “shtetit të kapur” në rajon. As nuk mohon ekzistimin e korrupsionit, krimit të organizuar, dhe mungesën e sundimit të ligjit dhe të gjyqësorit të pavarur. Këto mbeten kërkesa kontinuele, pa të cilat asnjë vend i Ballkanit nuk do mund të llogaris anëtarësimin
Nga Blerim REKA
Kjo javë filloi me lajme shpresëdhënëse për Ballkanin. Në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, fitoi vija pro- europiane, kurse në BE paralajmërohet rekomandimi i pa-kushtëzuar për fillimin e negociatave anëtarësuese për Maqedoninë- deri në fund të vitit dhe hapja e tyre për Shqipërinë. Edhepse deri në momentin e shkrimit të kësaj kolumne – drafti është ende jozyrtar, (derisa dokumenti formalisht të shpallet- sot- nga Komisioni Europian), ai ri-konfirmon shpresën e premtuar të shkurtit të këtij viti, nga “Strategjia për Zgjerim Kredibil” të BE në Ballkanin Perëndimor.
Raportet e Progresit të Komisionit Europian, që do shpallen për secilin nga gjashtë shtetet ballkanike, pritet të emitojnë dy mesazhe kryesore.
I pari; se Bashkimi Europian do të ndërpres status-quon 15 vjeçare në procesin gati të harruar të integrimit europian për vendet e rajonit. Sidomos për : Shqipërinë, pas pritjes 15 vjeçare nga nënshkrimi i SAA; dhe për Maqedoninë, pas tetë rekomandimeve paraprake pozitive. Vetëm Turqia, ka stazhin më të gjatë pritjeje para portave të Brukselit. Rreth katër dekada në marrëdhënie kontraktuale me BE dhe 13 vite nga fillimi i negociatave anëtarësuese – që mbetën pezull. Ky status pezull, pritet të ri-përsëritet edhe në raportin e sotëm për Ankaranë, pas vërejtjeve të BE në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe të lirive të njeriut.
Mesazhi i përbashkët nga raportet e sotme të progresit, pritet të jetë se anëtarësimi nuk është i garantuar, por vetëm i merituar. Nuk është dhuratë, por fitore e bazuar në përkushtim. Sikur që as vetë BE-ja nuk është qëllim, por mjet përmes të cilit aspirantët bëhen pjesë e familjes se vlerave të përbashkëta. Fundja edhe nëse Bashkimi Europian nuk do të na impononte kriteret dhe standardet: politike, juridike, ekonomike dhe administrative, ato duhet ti bëjmë vetë për veten, për shoqëritë tona për gjeneratat e ardhshme.
Gjeopolitikisht, Brukseli, (mbase edhe me shtytjen e SHBA), nuk do lejoj që Ballkani të lihet një zonë e vakumit të sigurisë, sidomos në kohën e shtimit të apetiteve të lojtarëve veri-lindor dhe jug-lindor. Fundja këtë më miri e përmblodhi shefja e politikës së jashtme Mogerini në prag të vizitës në rajon se Ballkani është i rëndësisë strategjike për BE-në.
Porosia gjeopolitike nga raportet e sivjetme të progresit është e dyfishtë: e përgjithshme dhe e veçantë.
Porosia e përgjithshme është se nuk ka anëtarësim- pa zgjidhjen e problemeve bilaterale fqinjësore, sepse Bashkimi Europian nuk do pranojë import të jo-stabilitetit. Sidomos, jo sot kur stabiliteti Europian kërcënohet nga prania gjithnjë e më e shtuar Ruse në rajon. Në të kundërtën, me mbylljen e syve dhe anëtarësimin në BE të shteteve me konteste të pazgjidhura: historike, etnike e kufitare; Brukseli do përsëriste gabimin e vitit 2004 me pranimin e Qipros së ndarë në gjiun e vet, me çka Brukseli do pranonte ballkanizimin e Europës, në vend të europianizimit të Ballkanit.
Porosia e veçantë, ndërkaq i adresohet Serbisë dhe Kosovës, për siç thuhet: “normalizimin e marrëdhënieve” midis tyre. Në gjuhën e rëndomtë, kjo do të thotë që Beogradi nuk mund të llogaris në anëtarësimin në BE – pa njohur realitetin e ri në Kosovës, pas 17 shkurtit 2018. Fundja, katër ditë para shpalljes së raporteve të progresit, këtë ia tha mjaftë qartë Presidentit Vuçiq, në Berlin Kancelarja Merkel. Po edhe sikur ajo mos t ia thoshte këtë porosi politike, Serbia as teknikisht (kapitulli 35) nuk do mund të anëtarësohet në BE me territor e kufij shtetëror të pa-përcaktuar qartë, nëse vazhdon të insistoj virtualisht se ”Kosova është pjesë e saj”, kur realisht, ajo tash e dy dekada nuk e ushtron atje sovranitetin e saj shtetëror!
Transformimi i Ballkanit: nga hapësira gjeografike- në atë politike europiane; do të ndodhë vetëm kur vendet e rajonit do bindin Brukselin, se nuk do ketë më keqqeverisje, e cila do ti “ftonte” në rajon, lojtarët jashtë komunitetit Euro- Atlantik. E kjo do thotë: vetëm kur të çrrënjoset korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga gjyqësor i pavarur. Vetëm kështu do u mbyllet dera për “aterrimin”- nga jashtë, të regjimeve të huaja autoritare. Kjo, sepse, në Ballkan, korrupsioni nuk ka vetëm dimensionin e vet ekonomik. Para se gjithash ai mbetet një kërcënim sigurie.
Për të parën herë, këto raporte progresi të KE shpallen sivjet në pranverë, në vend të vjeshtës- siç ishin shpalluar gjatë 14 viteve të fundit. Madje, ky është raporti i progresit i Komisionit Europian, që shpallet pas dy vitesh –pas atij të fundit të vitit 2016. Mali i Zi dhe Serbia, do vazhdojnë të mbahen në “Agjendën e Junkcerit: 2025”, mirëpo së paku verzioni i fundit i draftit, shpreh poashtu shqetësimin për rritmin- jo aq të shpejtë, siç pritej të reformave në këto dy vende. Sikur që brengosje për ecurinë reformuese do të notohet edhe për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Pra, optimizmi fillestar, nuk mbulon brengosjen e BE për, siç thuhet, ende gjendjen e “shtetit të kapur” në rajon. As nuk mohon ekzistimin e korrupsionit, krimit të organizuar, dhe mungesën e sundimit të ligjit dhe të gjyqësorit të pavarur. Këto mbeten kërkesa kontinuele, pa të cilat asnjë vend i Ballkanit nuk do mund të llogaris anëtarësimin.
Sidomos jo sot, kur vetë BE, po përballet me praktika të ngjashme të anëtarëve të saj. Para Gjykatës Europiane të së Drejtës, pritet procedimi kundër dy shteteve anëtare: Hungarisë dhe Polonisë, (sipas procedurës së nenit 7) të Trakatait të Lisbonës, me të cilën shteteve që nuk u përmbahen të drejtës së BE, u merret e drejta e votës në institucionet e BE-së. Ndërkaq po diskutohet edhe përjashtimi i tyre nga shfrytëzimi i mjeteve të BE nga fondet kohezive.
Në muajin maj, kjo porosi “teknike” e Brukselit, pritet tu thuhet si shqetësime politike, liderëve ballkanik në Samitin e Sofjes, ndërkaq në qershor, në samitin e Këshillit Europiane dhe si vendime zyrtare. Me fjalë të tjera, raportet e sotme të progresit të Komisionit Europian duken si optimizmi të pesimizuara.
Apo: si gota përgjysmë e mbushur, e cila për disa, duket përgjysmë e mbushur; kurse për të tjerët përgjysmë e zbrazët.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)