Testet fillestare në minj për një vaksinë potenciale kundër COVID-19, vaksinë kjo e dhënë përmes një bandazhi sa maja e gishtërinjve, kanë treguar se mund të nxis një reagim imunitar kundër koronavirusit të ri në nivele që mund të parandalojnë infeksionin, thanë shkencëtarët amerikanë të premten
Shkencëtarët në mbarë botën po punojnë në zhvillimin e një trajtimi apo vaksine potenciale kundër sëmundjes që ka lënë të vdekur gati 50 mijë persona dhe ka infektuar gati 1 milion të tjerë për vetëm pak muaj, raporton Reuters. Një ekip në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Pittsburghut në SHBA, thanë se ishin në gjendje të ecin me shpejtësi në zhvillimin e vaksinës potenciale kundër COVID-19 pasi punuan në koronaviruse tjera që shkaktojnë SARS-in apo MERS-in.
“Këto dy viruse, që janë të ndërlidhura ngushtë me SARS-CoV-2 (koronavirusi i ri që po e shkakton pandeminë COVID-19), na mësojnë se një proteinë e caktuar, e quajtur proteina e mprehtë, është e rëndësishme për të na dhënë imunitet kundër virusit”, tha Andrea Gambotto, profesor i asocuar në Pittsburgh. “E dimë me saktësi se ku ta luftojmë këtë virus”. Kur u testua në minj, vaksina prototip – të cilën shkencëtarët e kanë quajtur PittCoVacc – brenda dy javësh gjeneroi atë që ata e përshkruan si “një valë e madhe antitrupash” kundër koronavirusit të ri.
Shkencëtarët në Pittsburgh paralajmëruan se është ende herët të thuhet nëse apo edhe sa kohë zgjat reagimi imunitar ndaj COVID-19. Por thonë se në testet e krahasuara në minj me vaksinën e tyre eksperimentale MERS, janë prodhuar antitrupa të mjaftueshëm për të neutralizuar virusin për së paku 1 vit. Deri më tani, nivelet e antitrupave në kafshët e vaksinuara kundër SARS-CoV-2 duket se po e ndjekin të njëjtin trend, thanë ata në studimin e tyre të publikuar në revistën “EBioMedicine”.
Ekipi tha se shpresojnë të nisin testimin e vaksinës në njerëz në teste klinike brenda pak muajve të ardhshëm. Vaksina potenciale ka një dizajn në formë bandazhi me gjilpëra, i quajtur një varg mikrogjilpërash, për të rritur fuqinë potenciale. Ajo është me madhësi sa maja e gishtit dhe ka 400 gjilpëra të vogla të bërë nga sheqeri dhe proteina e mprehtë, sqaroi Gambotto. Është e krijuar për të shpërndarë copa të proteinave të mprehta në lëkurë, ku reagimi imunitar është më i fuqishmi.