Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehet optimiste se kjo do të ndodhë, me ç`rast potencon se kjo varet nga këshilli i Komunës së Tetovës, por siç thekson ajo, ka frymë pozitive që kjo iniciative të përfundojë me sukses
Urim HASIPI
Tetovë, 16 nëntor – Emrat e shkollave dhe të gjitha institucioneve duhet të reflektojnë përbërjen etnike, kulturore dhe gjuhësore të shumicës. Kështu shprehet kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, lidhur me kërkesat e vazhdueshme të opozitës shqiptare për ndryshimet e emrave të shkollave fillore dhe të mesme në Tetovës. Arifi shprehet optimiste se kjo do të ndodhë, me ç`rast potencon se kjo varet nga këshilli i Komunës së Tetovës, por siç thekson ajo, ka frymë pozitive që kjo iniciative të përfundojë me sukses. “Këshilli është organi autoritativ i sjelljes së këtij vendimi. Normalisht se kemi thënë edhe më herët, për arsye se emrat e institucioneve duhet të reflektojnë përbërjen kulturore-gjuhësore, etnike në këtë qytet sipas përkatësisë dhe përqindjes. Ju e dini se kjo është subjekt i marrëveshjes, klimës dhe i votimit me Badenter. Jam e bindur se kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë dhe bashkëpunuese në këshill dhe shpresoj se këshilltarët do të reflektojnë dhe të gjejmë një zgjidhje të përhershme” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Për ndryshimin e këtyre emrave duhet që në këshillin Komunal të Tetovës të sillet vendim me parimin e Badinterit, që do të thotë shumica e këshilltarëve maqedonas të votojnë pro këtij vendimi. Në bazë të kësaj, dhe duke llogaritur numrin e këshilltarëve aktual që ka VMRO-DPMNE-ja, gjegjësisht 5 këshilltarë dhe LSDM-ja tre këshilltarë, është shumë e vështirë që të ketë ndryshime të emrave, pasi që edhe në këtë përbërje të re të këshillit të Komunës së Tetovës VMRO-DPMNE-ja ka shumicën e këshilltarëve të nacionalitetit maqedonas. Disa javë më parë, këshilltarët e Lëvizjes Besa në Komunën e Tetovës morën iniciativë për ndërrimin e emrave të shkollave të mesme me çka dorëzuan kërkesë deri tek Komuna e Tetovës e siç thonë ata, kjo e fundit ende nuk ju ka dhënë asnjë përgjigje konkrete. Nga Lëvizja Besa kërkojnë takim formal me drejtorët e shkollave, që sipas tyre këta të fundit do të informohen për iniciativën e ndërrimit të emrave të këtyre shkollave. “Duke u bazuar në iniciativat dhe kërkesat e mëhershme, ne si Lëvizje BESA kemi propozime që Shkolla e Mesme e Mjekësisë ‘Nikolla Shtejn’ të emërohet ‘Ferid Murad’, Gjimnazi ‘Kiril Pejçinoviq’ të emërohet ‘Gjon Buzuku’, Shkolla Bujqësore ‘Mosha Pijade’ të emërohet ‘Rexhep Voka’, Shkolla tekstile ‘Gjoce Stojçevski’ të emërohet ‘Hasan Tasini’”, theksuan nga Lëvizja Besa.
Kjo parti, edhe në protestën para Komunës së Tetovës kur u mbajt seanca e qeverisë, u rikujtoi atyre se emrat e shkollave në Tetovë mbajnë emra të personaliteteve rus. Kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, nënvizon se ka biseduar me këshilltarët e partive tjera dhe ka një disponim për ndryshimin e emrave të shkollave. Deri tash nuk është marrë ndonjë iniciativë për shkak të proceseve zgjedhore, por deri në fund të këtij viti, kjo çështje mund të jetë në rend dite. Një vit më parë kishte iniciativë edhe nga drejtorët e shkollave, por që rezultoi pa sukses, ndërsa kërkesat e tyre mbetën në sirtaret e Komunës dhe asnjëherë nuk u diskutuan në këshill. Derisa kjo çështje të zgjidhet, nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, dokumentet e tyre edhe më tej vazhdojnë t’i marrin me emrat “Mosha Pijade”, “Kiril Pejçinoviç”, “Nikolla Shtejn”, apo “Gjoçe Stojçevski”, ndërsa edhe emrat e rrugëve kanë emra që nuk janë të pranueshëm për popullatën shqiptare në Tetovë. (koha.mk)