Shkup, 10 dhjetor – Ndërmjetësuesi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, pas pauzës trevjeçare, të hënën dhe të martën në Bruksel do të ketë takim me përfaqësuesit e të dy vendeve Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.
Takimi, siç paralajmëroi Zyra e Nimicit, është pjesë e përpjekjeve të KB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit.
Raundi i ri vjen në një periudhë të klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritje optimiste nga Shkupi dhe Athina, por edhe nga Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev disa herë ka deklaruar se duhet të bëhet një hap përpara dhe se tani ka shanse më të mëdha nga më parë që të gjendet një zgjidhje me Greqinë. Në intervistën për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA, Zaev ka theksuar se duhet të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.
Lidhur me spektrin e lëshimeve që është i gatshëm t’i bëjë, por edhe për këtë nëse pajtohet me ndryshimin e emrit të aeroportit, kryeministri i Maqedonisë thotë se “është e qartë se është më lehtë të ndryshohet emri i një aeroporti se emri i vendit”.
Kryeministri grek, Aleksis Cipras pret në vitin 2018 të ndodh një kthesë më e gjerë në Ballkan, por edhe të ketë ngjarje pozitive lidhur me çështjen e Maqedonisë, nëse, siç thotë, Shkupi vendos të bëjë hapa pozitiv përpara.
Paraprakisht, edhe shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias, deklaroi se pret që çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, thotë Koxias, zgjidhja duhet të jetë kompromis për emrin që të hapet rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe organizatave të tjera në të cilat dëshiron të inkuadrohet.
Optimizëm se kontesti përfundimisht mund të zgjidhet shfaqën edhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror amerikan Hojt Ji dhe komisari evropian Johanes Han. Ji konsideron se çështja për emrin deri më tani është në nivel më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Han, ndërkaq, deklaroi se pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjendet zgjidhje politike me Greqinë për hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE. Si një shtojcë për këtë, Ji dhe Han, i theksojnë relacionet e përmirësuara politike midis Shkupit dhe Athinës.
Vullnet të mirë për zgjidhje tek të dyja palët sheh edhe ndërmjetësuesi Nimic, i cili në një deklaratë për agjencinë e lajmeve – IBNA, shfaqi edhe shpresë se do të tejkalohen edhe të a.q. linjat e kuqe të vendosura nga Athina dhe Shkupi.
Mediat greke paralajmërojnë se është e mundur që Nimic në takimin në Bruksel të dalë edhe me propozim të ri për emrin.
Raundi i fundit formal i bisedimeve të ndërmjetësuesit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve u mbajt në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014.
Kontesti për emrin midis Athinës dhe Shkupit zgjat që nga pavarësia e Republikë së Maqedonisë në vitin 1991. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi i Maqedonisë në KB më 8 prill të vitit 1993, ishte bërë nën referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nën patronatin e KB-së, të dyja vendet filluan bisedime për zgjidhjen e problemit që e ka Greqia me emrin kushtetues të Maqedonisë, të cilat ende po zgjasin.