Pritjet për vitin 2021 janë para së gjithash pozitive dhe pasqyrojnë një optimizëm të caktuar për shkak të parashikimeve pozitive, por megjithatë, rritja nuk do të kthehet në skenarët e para nivelit të pandemisë, për të cilat me siguri do të nevojiten më shumë se tre vite të rikuperimit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 janar – Përshtatja ndaj ambientit të krijuar përgjatë vitit 2020 si pasojë e pandemisë, rënie e punës për së paku 20 për qind dhe rënie e të ardhurave, paqartësitë në industrinë automobilistike në Evropë dhe botë… ishin vetëm disa nga problemet që kanë përcjellë investitorët e huaj vitin e kaluar. Kompanitë furnizuese të industrisë së veturave, të orientuar më shumë ndaj prodhimeve kimike dhe elektronike të avancuara, me sukses kanë baraspeshuar goditjet e krizës, ndërsa më pak sukses në gjatë amortizimit kanë pasur kompanitë që varen nga puna intensive apo që varet nga puna e dorës, si dhe ato biznese që janë varur nga sektori i turizmit dhe transportit, vlerëson numri një i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, Viktor Mizo.
“Optimizëm të caktuar për një rikuperim më të shpejtë të industrisë ofrojnë mbështetjet e shtetit siç janë ulja e përkohshme e shkallëve të importit për lëndët e para të caktuara, pagesa para kohe e ndihmës shtetërore në bazë të investimeve më shpejtë të realizuara në raport me ato që janë planifikuar….”, shton më tej Mizo. Sipas tij, pritjet për vitin 2021 janë para së gjithash pozitive dhe pasqyrojnë një optimizëm të caktuar për shkak të parashikimeve pozitive, por megjithatë, shton Mizo, rritja nuk do të kthehet në skenarët e para nivelit të pandemisë, për të cilat me siguri do të nevojiten më shumë se tre vite të rikuperimit. Masat shtesë shtrënguese që ka vendosur Evropa për muajt janar dhe dhjetor, dhe ndoshta edhe më gjatë – paraqesin një rrezik shtesë së bashku me efikasitetin dhe zbatimin e vaksinimit. Në ndërkohë, analizat e ndryshme tregojnë se Maqedonia e Veriut nevojitet ti kushtojë një vëmendje më të madhe eksportit dhe fuqizimit të tij në degë të ndryshme të prodhimit dhe shërbimeve.
Në analizën e Institutit Fajnens Think të titulluar “Potenciali i kompanive të orientuara në eksport për të kontribuar ndaj rikuperimit pas Covid-19 në Maqedoninë e Veriut”, theksohet se eksportuesit me qasje të kufizuar ndaj financave, të ekspozuar ndaj importit nga BE, dhe me një konkurrencë të ulët – kanë qenë më të prekshëm nga goditjet e pandemisë. Përkundër kufizimeve të rëndësishme, eksportuesit kanë potencial të jenë bartës të rritjes ekonomike. Ato kanë potencial për investime në teknologji, rritje të prodhimtarisë, përshtatjen e serishme dhe përkrahjen ndaj sistemit dual të arsimit që nënkupton më shumë praktikë për nxënësit e shkollave të mesme profesionale në firma të ndryshme. Rezultatet e analizës së Fajnens Think kanë treguar se gjysma apo 46.4 për qind e eksportuesve kanë kapacitete dhe mundësi për adaptime të reja, ndërsa 19.7 për qind të tyre në mënyrë shtesë kanë mundësi plus, por ballafaqohen me kufizimet që i imponojnë resurset e kufizuara njerëzore. Kjo, me fjalë të tjera, nënkupton se gati dy të tretat e kompanive që shesin prodhimet apo shërbimet e tyre jashtë shtetit, kanë mundësi edhe të rrisin eksportin e tyre.
Gjithashtu, mbi 65 për qind e këtyre kompanive planifikojnë të avancojnë nivelin teknologjik, 46 për qind kanë kapacitet të marrin pjesë në arsimin dual, ndërsa 14.5 për qind kompani të tjera do të merrnin pjesë në arsimin dual në rast se kanë qasje ndaj shkolla përkatëse profesionale. Njëherësh, me masa stimuluese ekziston mundësia që të rritet potenciali i eksportuesve për më shumë prodhim, investime dhe konkurrencë më të madhe. Masat shtesë do të stimulonin edhe atraksionin e vendit për thithjen e investimeve të reja të huaja. Analiza më tej thekson se shteti mund të ndihmojë eksportuesit në disa fusha siç janë: subvencionimi i zgjerimit në tregjet e reja dhe ndihmesa e diplomacisë ekonomike për këtë qëllim, subvencionimi afatshkurtër i trajnimit dhe edukimit të të punësuarve, ndërsa në suaza afatgjate – arsimi dual do të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për absolvimin e problemit me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore.
Nevojitet të ofrohet zgjidhje edhe për rritjen e pjesëmarrjes së prodhuesve vendor në furnizimin e eksportuesve përmes stimulimeve financiare, programit për mentor për rritjen e nivelit teknologjik etj. Një problem tjetër që kërkon zgjidhje është edhe qasja e kufizuar ndaj kredive dhe niveli i zhvillimit teknologjik që rrisin tronditjet negative ndaj Covid-19 dhe ngadalësojnë rikuperimin ekonomik. Vendosja dhe rritja e kredive afatgjate me kushte të volitshme ku do të përfshihen edhe grantet, do të ndikonte në mënyrë relaksuese ndaj kufizimeve të likuiditetit apo disponimit me para të gatshme në dorë dhe do të stimulonte edhe automatizimin në periudhën e pas Covid-19. (koha.mk)