Çështja e emrit dominoi edhe gjatë javës që shkoi. Ndërmjetësi i KB-së, Methju Nimic në Shkup dhe në Athinë i dëgjoi qëndrimet e të dyja palëve për idetë e propozuara për tejkalimin e dallimeve në kontestin për emrin. Sipas ekspertëve negociatat janë në rrugë të mirë dhe mund të gjendet zgjidhje për këtë çështje. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxijas e ndajnë qëndrimin e njëjtë se në qershor do të arrihet zgjidhje për kontestin.
Kryeministri Zoran Zaev pret deri nga mesi i vitit të gjendet zgjidhje për kontestin 25-vjeçar për emrin me Greqinë dhe në Samitin e NATO-s në qershor të aktivizohet ftesa për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë. Në një deklaratë për televizionin bullgar “Nova”, Zaev thotë se zgjidhja eventuale duhet të miratohet në referendum.
“Referendumi duhet të jetë garanci plotësuese edhe për miqtë tanë nga Republika e Greqisë pasi që me atë në mënyrë defitinitive do të largohen të gjitha dyshimet, ndërsa populli do të qëndrojë pas zgjidhjes e cila do të pranohet. Jam i bindur se qytetarët e Maqedonisë janë të gatshëm për këtë. Por, akoma jemi në negociata dhe shpresoj se zgjidhja do ta ruaj dinjitetin e qytetarëve edhe të Greqisë edhe të Republikës së Maqedonisë”, thekson Zaev.
Bindjen se deri në qershor do të zgjidhjet çështja e emrit e shpreh edhe shefi i diplomacisë greke në një intervistë për Rojters dhe thotë se zgjidhja është në interes edhe të Greqisë edhe të rajonit. “Në jetë, Leka i Madh… dëshmoi se duhet t’i presim Nyjet Gordiane. Në një moment, duhet të përfundojmë me çështje të tilla”, thotë Nikos Kopxijas në një intervistë për Rojters, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, ndërsa shpreh optimizëm se zgjidhje mund të ketë deri në qershor, duke sqaruar se kjo është në interesin e të gjithëve.
Thekson se ekziston moment i ri pas ndryshimit të pushtetit tek ne, ndërsa e përmend edhe projekt marrëveshjen që Greqia do t’ia dorëzojë Maqedonisë. Deklaratat e Dimitrovit nuk ndihmojnë, thotë zëdhënësi i qeverisë greke në një intervistë për TV ERT, duke i komentuar qëndrimet që i dha shefi i diplomacisë së Maqedonisë pas takimit me Nimicin. “Udhëheqësia politike e IRJM-së, muajt e fundit ka ndryshuar disa deklarata nga e kaluara, ka miratuar një pozitë më të matur dhe kjo ka ndihmuar që negociatat dhe bisedimet të shkojnë përpara dhe të krijohet një klimë e mirë midis dy vendeve. Mendoj se deklaratat e Dimitrovit, gjatë negociatave, nuk kanë ndihmuar në këtë drejtim, sepse e din shumë mirë, ndërsa për këto tema kanë biseduar të dy liderët Zaevi dhe Cipras se ekzistojnë kërkesa konkrete, kërkesa politike që të mund të arrijmë deri në marrëveshje të përbashkët të pranueshme”, tha Dimitris Xanakopulos.
Zëdhënësi i qeverisë greke tha se në negociatat Athina mendon se ekzistojnë tre çështje të ndryshime për të cilat bisedon, gjegjësisht siç tha “tre shtylla bazë të pozitave greke”. “E para është emri i ndërlikuar. E dyta është ajo që e quajmë erga omnes gjegjësisht ndaj të gjithëve, emër i ndërlikuar për përdorim të gjithanshëm, që e përfshin edhe fqinjin, që do të thotë se është e nevojshme revizion kushtetues, që të mund erga omnes të realizohet. Dhe e treta është ajo që ka të bëjë me irredentizmin, që gjithashtu lidhet me revizionin kushtetues. Mendoj se do të jetë mirë të mos e parashikojnë rezultatin dhe të mos vendosin linja të kuqe”, sqaroi zëdhënësi i qeverisë greke, transmeton MIA.
Zgjidhjen e problemit me emrin me qëllim të hyrjes sa më të shpejtë të Maqedonisë në BE dhe në NATO e mbështesin 61 për qind e qytetarëve të Maqedonisë (43 tërësisht, ndërsa 18 për qind deri diku), tregojnë rezultatet e anketës telefonike në 1.000 të anketuar e zbatuar prej 19 deri më 26 janar nga M-Prospekt për Institutin për Demokraci Societas Civilis Shkup.
Mbështetje për ndryshimin e emrit me qëllim të hyrjes në BE dhe NATO kanë shprehur 50 për qind e maqedonasve (30 për qind tërësisht, ndërsa 20 deri diku), ndërsa 95 për qind e shqiptarëve (84 tërësisht, ndërsa deri diku 11 për qind).
Në pyetjen nëse me ndryshimin e emrit do të ndryshojë edhe rëndësia e asaj çfarë është Maqedonia dhe populli maqedonas, 34 për qind janë përgjigjur se tërësisht do të ndryshojë, 19 se deri diku do të ndryshojë, 33 për qind se aspak nuk do të ndryshojë, ndërsa katër për qind se deri diku nuk do të ndryshojë.
Për 60 për qind të maqedonasve të anketuar me ndryshimin e emrit do të ndryshojë edhe identiteti (për 40 për qind tërësisht, ndërsa për 20 deri diku), ndërsa 35 për qind e konsiderojnë të kundërtën.
Tek shqiptarët 30 për qind vlerësojnë se do të ndryshojë (13 tërësisht, ndërsa 17 pjesërisht), ndërsa 48 për qind janë se identiteti aspak nuk do të ndryshojë dhe 10 për qind plotësues se deri diku nuk do të ndryshojë.
Në ndërkohë, organizatat dhe shoqatat greke djathtiste të mbështetura nga partitë dhe nga kisha, po përgatiten për protestën e nesërme në Athinë.
“Greke dhe grekë, maqedonas dhe maqedonase, të gjithë në Athinë të dielën më 4 shkurt, të gjithë në sheshin Sintagma në mesditë. Atje para parlamentit do ta shprehim dëshirën tonë. Jo për termin Maqedoni në emrin e fqinjëve, jo për nenet irredentiste në Kushtetutën e Shkupit. Selaniku tha, në radhë është Athina të tregojë: Maqedonia është një dhe është greke”, bëjnë thirrje organizatorët përmes video spotit”, publikoi MIA.
Paralelisht me protestën në sheshin Sintagma, në largësi prej vetëm 800 metrash, anarkistët përgatitën kundër protestë, gjegjësisht tubim antifashist.
Lidhur me protestat në Greqi, shefi i diplomacisë greke Nikos Koxijas thotë se ato janë shenjë demokracie, ndërsa njerëzit në të dyja vendet të cilët nuk pajtohen me kompromis të mirë, nuk do të thotë se kanë qëllim të keq.