Tiranë, 15 nëntor – Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrim në shtëpinë ligjvënëse të Shqipërisë, demokrati Genc Pollo, duke iu referuar konkluzioneve nga Këshilli për Stabilizim Asocimit vlerësoi se Shqipëria nuk ka arritur as edhe progresin më të vogël për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.
“Kush pretendon se dje në Bruksel, në Këshillin e Stabilizim Asocimit (KSA) qeveria mori lavdërimin e radhës nga Komisioni Evropian do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Bushatit por nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA ku pala evropiane u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini”, theksoi Pollo.
Duke iu referuar deklaratës së përfaqësues së BE-së Mogherini një vit më parë, Pollo pohon se vendi ka nevojë për rezultate të prekshme.
“Ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, Mogherini mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit” në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se “BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve”, deklaroi deputeti i PD-së.
“Kontrasti duket qartë: Në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme; në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet; në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve përfshi kokainën”, shprehet ai.
Sipas tij, kjo është shumë më shumë se konfirmim se Qeveria aktuale “po bëhet pengesë gjithnjë e më e madhe” për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Në Bruksel dje ishte mbajtur takimi i dhjetë i Këshillit për Stabilizim Asocim ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, pas çka siç ishte transmetuar nga ana e mediave shqiptare, BE-ja e kishte përsëritur nevojën që Shqipëria ta thellojë dinamikën momentale të reformave, që ta konsolidojë progresin në reformat e deritanishme gjyqësore, veçanërisht përmes procesit të kontrollit të origjinës së pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet kriminale.
BE-ja i ka përshëndetur edhe aksionet e mëdha policore të zbatuara në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe kishte kërkuar që të përforcohen përpjekjet për konfiskimin e pasurisë të cilën e kanë fituar përmes aktiviteteve kriminale.