Zgjedhjet e ardhshme do të jenë momenti i ndryshimit dhe BDI-ja i frikësohet pikërisht kësaj, sepse atë nuk do ta shpëtoj më opozita e kapur dhe e fragmentuar dhe do ta ndëshkojë populli i cili në vazhdimësi ka qenë i vetëdijshëm dhe i guximshëm për ta bërë ndryshimin
Nga Omer AJDINI
Ndryshimet që ndodhën në Kosovë, pra fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe përmbysja e kastës së vjetër dhe të korruptuar politike, na shtyu të mendojmë dhe pyesim përse vallë tek ne nuk ka ndodhur ai ndryshim ende. Disa thonë që fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! është ekskluzivisht meritë e modelit të opozitarizmit, i cili dorën në zemër është karakterizuar me sakrificë, guxim dhe konsistencë politike për vite të tëra, e të tjerët duke mos ditur ku mund të jetë problemi thonë që dallimet kulturore dhe të mendësisë në mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut mund të jenë shkaktari i këtij stagnimi. Pra ata thonë që shqiptarët e Kosovës janë më të vetëdijshëm, më të guximshëm dhe ndërmarrin më shumë rrezik dhe prandaj në Kosovë ndodhi ndryshimi që ndodhi.
Përderisa shpjegimi i parë i ka meritat e veta, shpjegimi i dytë për mua është i pavërtetë. Deri tani nuk ekziston një studim i mirëfilltë sociologjik dhe psikologjik që do ta vërtetonte supozimin që vërtetë ekzistojnë dallime aq të theksuara kulturore dhe të mendësisë në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, prandaj edhe mendimi im është se dallimet tona janë margjinale, nëse ata ekzistojnë. Në teorinë politike fenomeni i ndryshimeve ose mos ndryshimeve politike nuk shpjegohet më me dallime kulturore ashtu siç bënte Samuel Huntington dikur, por edhe sikur te shpjegohej, dallimet në mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut janë shumë të vogla apo të padukshme për të pasur ndonjë ndikim real në trajektoren e zhvillimeve politike të tyre.
E vërteta është së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk ju mungon guximi dhe vetëdija politike, bile janë aq të vetëdijshëm saqë edhe në komunat më të varfra siç është ajo e Likovës ata kanë mundur që qysh në vitin 2013 ta dënojnë BDI-në me votë (p.sh. rasti i zgjedhjeve lokale në vitin 2013 kur Murtezan Idrizit kishte fituar ndaj Sadulla Durakut me vota të pastërta, mirëpo për shkak të manipulimit të rezultatit në një vendvotim ishte ndryshuar rezultati). Për më shumë, populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut është aq i vetëdijshëm saqë për disa cikle zgjedhore voton më shumë kundër sesa pro partisë e cila ka dështuar në qeverisje. Për shembull, në vitin 2016 BDI kishte 86.796 vota ndërsa opozita 125.096 vota. Pra populli paska pasur guxim dhe vullnet për ta ndëshkuar të keqin edhepse BDI-ja nuk kursente asnjë mekanizëm për t’i nënshtruar dhe frikësuar njerëzit që votonin kundër asaj. Pra argumenti i dallimeve kulturore është i dobët, por le ta lëmë këtë temë për shtjellim në ndonjë rast tjetër.
Mendimi im është se ndryshimet apo mos-ndryshimet politike sot shpjegohen më mirë nga konteksti politiko-historik nëpër të cilin ka ecur një shoqëri, e ky kontekst fatkeqësisht për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë aq këndshëm. Përderisa në njërën anë populli kishte vazhdimisht gatishmëri dhe vullnet për ndryshim, në anën tjetër partive opozitare shqiptare në vazhdimësi në 10 vitet e fundit u mungonte konsistenca, e cila kryesisht duhet të shihet në dy dimensione: konsistenca politiko-parimore dhe ajo organizative apo strukturore.
Fatkeqësisht, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në 15 vitet e fundit nuk e kanë pasur fatin ta kenë një opozitë konsistente as parimisht e as strukturalisht ashtu siç e kishte populli i Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje!. Në njërën anë e kishim PDSH-në, e cila edhepse ishte një konkurrente e fortë e BDI-së dhe kishte në radhët e veta njerëz idealistë dhe profesionistë, u komprometua nga lideri i saj i cili siç duket për interesa personale luante lojëra me konsistencën politike të subjektit të tij. Pra, për pazare personale ishte në gjendje përjetësisht të qëndrojë në opozitë, gjë e cila pastaj çoi në fragmentim të opozitës në aspekt strukturor. Duke e parë impotencën e PDSH-së dhe pazaret që bënte Mendu Thaçi, lindën shumë parti të reja siç është rasti me RDK-në, DR-në, etj., të cilat për një arsye apo tjetër nuk arritën të etabloheshin në skenën politike dhe të bënin akumulimin e mllefit anti-BDI dhe të sillnin ndryshim tek ne. Në ndërkohë, përveç partive të reja, edhe brenda PDSH-së së Mendu Thaçit filluan pakënaqësitë, sepse njerëzit e kuptuan lojën e tij dhe kështu lindi Lëvizja për Reforma-PDSH, e cila fillimisht i kontribuoi fragmentimit të opozitës, mirëpo ndihmoi që të dobësohej pikërisht partia e cila e mbante BDI-në në pushtet dhe shkrinte partitë opozitare; e ky ishte një hap përpara për progresin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Pas daljes në skenë të LR-PDSH-së opozita shqiptare edhe njëherë pësoi një tollovi, e kjo ndodhi me daljen në skenë të Lëvizjes Besa në njërën anë dhe bashkimin e disa partive opozitare ne në anën tjetër (LR-PDSH, RDK dhe Uniteti), me çka ishte krijuar Aleanca për Shqiptarët. Pra, në zgjedhje e vitit 2016 dhe 2017 kishim 3 parti opozitare: Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe PDSH, të cilat në total arritën të mbledhin mbi 120,000 vota, ndërsa BDI mbeti me diku 82,000 vota. Pra populli nuk ishte i pavetëdijshëm, por ishte i përçarë; përndryshe ndryshimin do ta kishte bërë që në vitin 2016.
Megjithatë pas vitit 2017 ndodhën ngjarje të cilat edhepse në fillim u dukën që fragmentuan edhe më tej opozitën, në fakt çuan drejt konsolidimit të saj. E keqja ishte që Lëvizja Besa u nda në dysh, me çka lindi partia Alternativa, ndërsa e mira ishte që PDSH-ja veçmë kishte marrë tatëpjetën dhe nuk mund të rikthehej më për ta vazhduar fragmentimin dhe luftën ndër-opozitare. Zgjedhjet e vitit 2020 sërish dëshmuan që opozita e fragmentuar ishte përsëri fati që e shpëtoi BDI-në, sepse në tërësi të votave dhe mandateve shqiptarët përsëri i dhanë më pak BDI-së sesa opozitës, mirëpo ja që ajo përsëri nuk ishte e konsoliduar mjaftueshëm që ta akumulonte dëshirën dhe vullnetin popullor për ta bërë ndryshimin e nevojshëm. Megjithatë me zgjedhjet e vitit 2020 kjo dramë opozitare veçmë ka marrë fund, dhe më në fund pas diku 10 vitesh shqiptarët arritën të krijojnë një opozitë të konsoliduar strukturalisht. PDSH-ja veçmë është në proces të pakthyeshëm të zhdukjes si parti politike, ndërsa i njëjti fat po e ndjek Lëvizjen Besa. Në anën tjetër koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa sot ka 12 deputet dhe është subjekti i vetëm politik opozitar që pas një dekade arriti rikonsolidimin struktural të opozitës dhe po tregon si konsistencë ashtu edhe një mendësi të re opozitare.
Pra periudha post-2020 është një fazë krejtësisht e re dhe e shumëpritur në skenën politike tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse përfundimisht tek ne ka ndodhur konsolidimi opozitar i cili po tregon rezultatet e tij. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë momenti i ndryshimit dhe BDI-ja i frikësohet pikërisht kësaj, sepse atë nuk do ta shpëtoj më opozita e kapur dhe e fragmentuar dhe do ta ndëshkojë populli i cili në vazhdimësi ka qenë i vetëdijshëm dhe i guximshëm për ta bërë ndryshimin.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)