Partia Demokratike synon të shkojë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me partitë aleate.
“Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend”, thuhet në draft, por aty nuk permenden specifikisht zgjedhjet lokale.
Platforma është nismë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili, pas arritjes së dakortësisë me partitë parlamentare të opozitës do ta zgjerojë koalicionin edhe me parti të tjera jashtë Parlamentit, shkruan mapo.al përcjellë Klan Kosova.
Marrëveshja e plotë e partnerëve opozitar në Shqipëri:
Sot, në Tiranë, më ___/___/2019, ne, Partitë e Opozitës së Bashkuar:
I. Duke qenë thellësisht të shqetësuar që prej kohësh Shqipëria ndodhet në kushtet e:
1. Rritjes së varfërisë ekstreme dhe papunësisë, si dhe pasigurisë për jetën dhe pronën, gjë që ka sjellë braktisjen e Shqipërisë nga një numër jashtëzakonsisht i lartë i qytetarëve shqiptarë;
2. Mungesës së vëmendjes nga Qeveria ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve dhe mungesës së reformave që garantojnë qeverisjen në interes të qytetarëve;
3. Humbjes totale të besimit të qytetarëve tek forca e shtetit;
4. Asgjesimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që po faktohet dita ditës si fenomen që ka cenuar jo vetëm legjitimitetin e qeverisjes, por edhe llogaridhënien ndaj qytetarëve;
5. Rrënimit ekonomik të vendit për llogari të oligarkëve të lidhur me Qeverinë, që përfitojnë fonde financiare në mënyrë abuzive, duke asgjesuruar konkurencën e lirë dhe duke penguar investimet e huaja në vend që janë motor punësimi;
6. Pabarazisë së thellë midis qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve me pushtet, duke eleminuar shtetin e së drejtës dhe barazinë përpara ligjit;
7. Përpjekjes së paprecedentë të Qeverisë për të kontrolluar të gjitha pushtetit në vend, përfshirë pushtetin gjyqësor.
II. Duke vlerësuar se gjendja e shkaktuar, ka mbi të gjitha, si shkak kryesor korrupsionin, si dhe bashkëqeverisjen me krimin dhe lidhjet e forta midis Qeverisë e krimit të organizuar, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomiko-social të vendit dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë;
III. Duke qenë të vetëdijshëm se rinia shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, jo vetëm për një arsim cilësor sipas standardeve europiane, por mbi të gjitha për krijimin e kushteve për punësim sipas meritës dhe mundësive individuale;
IV. Duke qenë të ndërgjegjshëm se kapja e pushtetit publik nga krimi, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, duke e shndërruar në emergjencë kombëtare nevojën e shkëputjes së lidhjeve të ngushta Qeveri-krim;
V. Duke qenë të vendosur për të ndërmarrë çdo proces politik apo institucional që i hap rrugë nisjes së negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke bërë realitet sa më parë ëndrrën e shqiptarëve për “Shqipërinë si gjithë Europa”;
VI. Duke vlerësuar se Qeveria aktuale dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje konkrete, për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, përdorimit të parave të pista në zgjedhje, si dhe angazhimit në zgjedhje të individëve me të kaluar kriminale, duke cenuar rëndë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve.
VII. Duke vlerësuar se Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore, keqpërdorimin dhe neglizhencën e Policisë së Shtetit dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.
DEKLAROJMË SE:
1. Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend.
2. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:
• përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri;
• realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
• krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
• krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.
3. Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe se shprehim gadishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
4. Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.
Ne partitë e Opozitës së Bashkuar, ngarkojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha partitë nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi.
Platforma e Bashkëpunimit bëhet efektive menjëherë dhe fillon zbatimin pas miratimit të saj nga organet statutore përgjegjëse të partive politike nënshkruese, sipas Statutit të tyre. Partitë nënshkruese njoftojnë njëra-tjetrën për miratimin e saj nga organet statutore përgjegjëse.