Kryedemokrati Lulzim Basha ka komunikuar vendimin e marrë nga mbledhja e aleatëve opozitarë në selinë e PD. Basha tha se opozita do kryesojë protestat në të gjithë vendin deri në largimin e Edi Ramës. Data për nisjen e protestave, sipas Bashës, do vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.
Vendimi i opozitës së bashkuar ka qenë nisja shumë shpejt e protestave. Kryetari i PD, Lulzim Basha pas mbledhjes së aleatëve në selinë e PD, tha se opozita do të udhëheqë revoltën e qytetarëve me protesta në të gjithë vendin deri në rrëzimin e Edi Ramës. Kreu demokrat nuk njoftoi datën e nisjes së protestave, por deklaroi se kjo do vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ditën e shtunë.
“Sot të gjithë e panë se si Rama i hoqi të drejtën për të folur opozitës. Edi Rama ka tani një parlament privat për të shkatërruar interesat personale, ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët. Opozita është e vendosur ti japë fund krizës ku është vendi. Prandaj ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ditën e shtunë do të mbledhim Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestave popullore, po kështu do të veprojnë edhe aleatët. Ne do të bëjmë gjithçka për të larguar 1 orë e më parë Edi Ramën”, tha Basha.
Mbledhja e aleatëve opozitarë në selinë e PD erdhi pas tensioneve në sallën e Kuvendit kur u votuan dekretet e Metës për ndryshimet në qeveri. Opozita kërkoi debat për dekretet, gjë e cila u rrëzua nga maxhoranca me pretendimin se nuk parashikohej në rregulloren e Kuvendit.