Liderët e partive opozitare malazeze sot në takim me eurokomisarin për zgjerim Johanes Han në Podgoricë u angazhuan për formimin e qeverisë teknike, si mënyrë e vetme për gjetjen e zgjidhjes sistematike për problemet në vend.
“Formimi i qeverisë teknike është zgjidhja më e mirë për Malin e Zi, ndërsa protestat janë institucioni kryesor demokratik”, deklaroi lideri i Partisë opozitare Socialdemokratike (SDP), Ranko Krivokapiq pas takimit me Han.
Krivokapiq theksoi se qëndrimi i SDP-së është se nuk do të marrë pjesë në kurrfarë bisedime për harmonizimin e kushteve për zgjedhje, derisa nuk formohet qeveria teknike, në të cilën do të dominonin përfaqësuesit e sektorit civil.
Qëndrimin e tillë e mbështeti edhe Goran Danilloviq nga partia Mali i Zi i Bashkuar (UCG), i cili theksoi se në këtë moment formimi i qeverisë teknike është alternativa e vetme.
Njerëzit e parë të koalicionit opozitar Fronti demokratik (DF), Andrija Mandiq, Milan Knezheviq dhe Nebojsha Medojeviq deklaruan se Hanit i transmetuan se ata janë “opozita më e shkatërruar në Evropë”.
Knezheviq theksoi se në Mal të Zi ka krizë politike dhe ka kërkuar nga Hani, që BE-ja “të ndërmarrë qëndrim të qartë për natyrën e regjimit në Mal të Zi”. “Nëse këto dëshmi për korrupsion dhe vjedhje zgjedhje që paraqiten në opinion, nuk janë të mjaftueshme që Komisioni Evropian të ndërmarrë qëndrim të qartë për natyrën e regjimit në Mal të Zi”, deklaroi pas takimit Knezheviq, i cili është lider i Partisë Popullore Demokratike (DNG).
Madiq, i cili është lider i partisë së serbëve malazezë, Demokracia e Re Serbe (NOVA), u ankua se serbët nuk kanë kurrfarë të drejta në Mal të Zi. “Nëse shqiptarët në Maqedoni arritën të luftojnë për të drejtat e tyre dhe që janë më pak se ne serbët në Mal të Zi, atëherë edhe ne serbët do të luftojmë për të drejtat tona”, theksoi Mandiq.
Lideri i Aksionit të bashkuar reformues (URA) Dritan Abazoviq bëri thirrje për masivitet sa më të madh në protestat antiqeveritare në Podgoricë, me qëllim që qytetarëve t’u kthehet “ajo që u është kthyer” – institucionet e sistemit dhe mundësia për zgjedhje të lirë.
Njeriu i parë i partisë Demokratët, Aleksa Beçiq theksoi se Hanit ia ka transmetuar qëndrimin se kriza në Mal të Zi po ndërlikohet dhe se tani gjendet në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit..
Liderët opozitarë theksuan edhe se në takimin nga Hani kanë marrë “këshilla të dobishme dhe qëllim mirë”.(koha.mk)