Monopolin e opozitës nuk e ka askush ashtu siç e ka atë të vendimmarrjes qeveria, prandaj para se të kritikohet opozita – ajo duhet të ndihmohet; para se të ankohemi që “nuk bën opozita”, duhet ta drejtojmë gishtin drejtë vetes dhe të pyesim me sinqeritet se a kemi bërë mjaftueshëm që opozita të përmirësohet dhe të bëhet ashtu siç e duam? Përndryshe, kritika pa kriter ndaj opozitës shpesh flet më shumë për pozitën e kritikuesit sesa atë të opozitës, e ndoshta edhe për këtë – “fajin e ka opozita”!
Nga Omer AJDINI
Në galerinë e gjërave interesante dhe të çuditshme në Maqedoninë e Veriut është edhe një trend apo fenomen i kritikës ndaj opozitës, apo edhe tendencë e mbajtjes së neutralitetit ose balancit të kritikës që një njeri jep ndaj pushtetit dhe opozitës. Sigurisht që ky fenomen nuk është i ri, por është interesant dhe mendoj që meriton vëmendje dhe një dekonsturim logjik.
Gjëja e parë që duhet të pyesim është: kush është vallë opozita? Opozita shpesh konceptohet gabimisht dhe përkufizohet me partitë politike të cilat nuk janë në pushtet/qeveri, ndërsa harrohet që opozita është koncept dhe sferë shumë më e gjerë se aq. Opozita përfshinë të gjitha organizatat formale ose joformale shoqërore, mediat, shoqërinë civile e deri tek çdo individ i cili nuk ka fuqi vendimmarrëse shtetërore mirëpo ndikohet nga vendimet e pushtetarëve. Pra gjithsecili prej këtyre palëve në një sistem të mirëfilltë demokratik luan rolin e opozitës, d.m.th. të korrektuesit të pushtetit dhe kufizuesit të fuqisë së tij, meqë është interes jetik i secilit prej tyre që politikat e zhvilluara të jenë të mirëfillta, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe politikanët t’i shërbejnë qytetarëve dhe jo vetes. Në anën tjetër, partitë politike opozitare nuk janë asgjë më shumë sesa grupe njerëzish të cilët e luajnë po këtë rol mirëpo në formë pak më direkte dhe më të përditshme, dhe që deklarohen që synojnë jovetëm të korrektojnë pushtetin, por edhe të jenë nesër vendimmarrës. Megjithatë kjo nuk i bën ata pronarë të opozitarizmit dhe nuk nënkupton që ata janë të vetëm në atë proces. Prandaj, si partitë opozitare, ashtu edhe mediat, shoqëria civile dhe individët e pa-përfshirë në organizata shoqërore, janë bashkë përballë përgjegjësisë së kontrollit dhe balancit të pushtetit, të atyre të cilët kanë fuqi të na i transformojnë jetët tona për të mirë, por kanë fuqi edhe të na i shkatërrojnë ato. Neutralitet në këtë rast është asgjë më shumë sesa iluzion apo mbulesë e pozitave reale pro-pushtetare!
Megjithatë, nuk duhet kuptuar gabimisht që opozita nuk duhet kritikuar asnjëherë; përkundrazi, organizatat opozitare në shtetet në tranzicion duhet kritikuar shpesh. Mirëpo janë dy kritere përcaktuese për meritën e kritikës ndaj organizatave opozitare: përjashtimi dhe kapja.
E para, meqë opozita nuk është nocion përjashtues ndaj shoqërisë civile, mediave, qytetarëve, para se të kritikohet një subjekt/organizatë opozitare duhet parë dhe vërtetuar nëse sjellja e saj është përjashtuese ndaj kritikuesit, pra nëse ajo organizatë nuk i le hapësirë kritikuesit që të kyçet në të dhe t’i përmirësojë gjërat dhe dimensionet e opozitë-bërjes me të cilat nuk pajtohet kritikuesi. Në të kundërtën, baza morale për kritikë ndaj një subjekti opozitar nuk ekziston meqë ekziston mundësia e ndërhyrjes dhe përmirësimit. Pra, nëse vërtetë të intereson një kauzë e caktuar dhe nuk të pëlqen se si një OJQ e bën aktivizmin e sajë, mund të bëhesh vullnetarë në atë organizatë apo ta themelosh organizatën tënde dhe ta përmirësosh atë; ndërsa ke të drejtë morale ta kritikosh atë vetëm atëherë kur të jesh përjashtuar nga mundësia për ta bërë atë më të mirë.
E dyta, në demokraci shpesh ndodh edhe kapja e opozitës kur pushteti përmes mekanizmave të tij blenë, shantazhon dhe nënshtron opozitën. Kapja e mediave, blerja e OJQ-ve, apo marrëveshjet e shpeshta me partitë opozitare nuk kanë qenë të rrall-a-tek ne në dy dekadat e fundit. E në këtë rast është jo vetëm legjitime dhe e moralshme të kritikohet opozita, por bëhet edhe obligim qytetar të bëhet kritikë e rreptë meqë ajo “opozitë” nuk është më opozitë por shndërrohet veçmë në mjet perfid të pushtetit i cili synon të shuaj zërin kundërshtues dhe të zgjerojë benefitet që pushtetarët marrin nga pushteti. Megjithatë kapja, sikurse përjashtimi, duhet vërtetuar me fakte sepse në të kundërtën dëmi është edhe më i madh sesa mund të mendohet!
Nëse njëra nga këto kritere (përjashtimi apo kapja) nuk është përmbushur dhe vërtetuar, atëherë kritika ndaj opozitës, apo kritika e barabartë ndaj pushtetit dhe opozitës,tregon vetëm predikamentin e kritikuesit, i cili ose nuk i kupton dinamikat dhe nocionet bazë të demokracisë, ose është i interesuar që ta shuaj opozitën dhe të rrojë pushteti; ose thjeshtë është spektator përtac dhe më shumë i intereson të duket i mençur sesa të mundësojë progres shoqëror dhe demokratik.
Për fund, monopolin e opozitës nuk e ka askush ashtu siç e ka atë të vendimmarrjes qeveria, prandaj para se të kritikohet opozita – ajo duhet të ndihmohet; para se të ankohemi që “nuk bën opozita”, duhet ta drejtojmë gishtin drejtë vetes dhe të pyesim me sinqeritet se a kemi bërë mjaftueshëm që opozita të përmirësohet dhe të bëhet ashtu siç e duam? Përndryshe, kritika pa kriter ndaj opozitës shpesh flet më shumë për pozitën e kritikuesit sesa atë të opozitës, e ndoshta edhe për këtë – “fajin e ka opozita”!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)