Deputetët e opozitës në Kuvendin e Republikës Sërpska mbrëmë e bllokuan punën e këtij trupi ligjdhënës, pasi qëndruan rreth vendeve në të cilat ulet kryesia parlamentare, pas çfarë seanca kuvendore ishte ndërprerë. Përfaqësues të partive në pushtet dhe të opozitës mbrëmë deri vonë nuk arritën marrëveshje për tejkalimin e bllokimit, pas çfarë nënkryetari i Kuvendit, Nenad Stevandiq paralajmëroi se paradite do të mbahet takim i ri i shefave të grupeve të deputetëve.
Opozita paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga “bllokimi fizik i punës së Kuvendit”, derisa shumica parlamentare “nuk ndalon me terrorin” dhe mosrespektimin e Rregullores së Kuvendit, Kushtetutën dhe ligjet. Deputeti i opozitës, Partia për Progres Demokratik (PPD), Branisllav Borenoviq, ndërkaq vlerësoi se është e pakuptimtë të marrë pjesë në punën e Kuvendit kur nuk respektohet demokracia parlamentare në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet.
Shkak për vendimin e opozitës për bllokimin e Kuvendit ishte vendimi i shumicës parlamentare për tërheqjen nga rendi i ditës të Raportit për punën e Shërbimit Kryesor të Revizionit, në të cilin theksohet se është konfirmuar deficit buxhetor për 65 milionë euro nga ai që e tregojnë të dhënat zyrtare të Qeverisë së Republikës Sërpska.