Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 6 prill – Në Dibër, mësimi onlajn realizohet si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme, por paraqitet problemi me fuqinë e internetit. Këtë e deklaroi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili tha se në kohën kur realizohet mësimi onlajn, interneti familjar është i dobët dhe shkakton probleme në procesin e mësimit.
Duke marrë parasysh këtë situatë, kryetari i Dibrës kërkoi një solidaritet më të madh të operatorëve që veprojnë në vend që të jenë më solidar në aspektin e fuqisë së internetit për banorët e Dibrës. Ai sqaroi se problemi në fjalë paraqitet në intervalin kohor nga ora 10 deri në ora 16, kur edhe realizohet mësimi në distancë nëpërmjet internetit.
Përndryshe kur jemi tek mësimi onlajn, në Komunën e Dibrës disa drejtori të shkollave fillore informojnë se një pjesë e nxënësve të cilët u takojnë familjeve me probleme sociale, nuk kanë mundësi të ndjekin këtë mënyrë të mësimit. Pjesa më e madhe e popullatës posedon internet, po ka një pjesë e cila nuk e ka këtë teknologji. Për këtë shkak, disa nga arsimtarët përdorin metoda të tjera për të realizuar procesin e mësimit. Problemi në fjalë është prezent sidomos në disa fshatra të komunës. (koha.mk)