Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e asistuar nga njësitë vartëse të drejtorive rajonale policore ka realizuar një operacion të gjerë policor në të gjitha rajonet e vendit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të veprave të ndryshme kriminale.
Pjesë e realizimit të këtij plani kanë qenë njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë atë për migrim dhe të huaj, njësitë për reagim të shpejtë, dhe njësitet patrulluese të DRP-ve.
Implementimi i planit operacional i quajtur “Vjeshta 2017” ka rezultuar me ushtrimin e kontrollit në 30 zona të ndryshme, ku prej tyre 4 lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë, si dhe janë vendosur gjoba për mungesë të arkave fiskale, mungesë të dokumenteve të punës, etj.
Si rezultat i punës dhe angazhimit të zyrtarëve policorë janë arrestuar 5 persona të dyshuar për posedim të armëve të zjarrit, raste këto të administruara në nivel lokal policor, si dhe janë konfiskuar dy revole e tipit TT, tre karikatorë, 16 copë municione, tre thika ushtarake dhe një qese e vogël me lëndë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.
Kryesisht në të gjitha lokacionet ku janë ushtruar kontrolle policore janë legjitimuar edhe 212 femra, nën dyshimin e mungesës së dokumentacionit të punës, ku prej tyre;
Shtetase të Shqipërisë – 123 persona
Shtetase të Malit të Zi – 1 person
Shtetase e Maqedonisë – 2 persona
Shtetase të RKS-së – 86 persona
Të gjitha shtetaset e huaja në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, do të trajtohen nga Drejtoria e Migrimit e PK-së, e cila është në proces të administrimit të lëndeve në fjalë.
Ky operacion i gjerë policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim edhe me Prokurorët kompetent, ATK-në, Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Sanitar të niveleve lokale.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën ndaj çdo veprimtarie kriminale dhe se operacione të tilla pritet të vazhdohen edhe në të ardhmen.