Qeveria gjermane pranoi se misioni i Bashkimit Evropian për luftë kundër kontrabandës me emigrantë në Detin Mesdhe, i quajtur Operacioni Sofia, në të vërtetë u ndihmon kontrabandistëve të njerëzve, njoftoi DPA. “Organizatat për kontrabandë me njerëz në llogaritjet e kanë edhe prezencën e anijeve në ujëra”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane në pyetjen e një përfaqësuesi të së majtës.
Këto organizata e dinë se “ligjet ndërkombëtare për qarkullim detar i obligojnë këto anije të japin ndihmë të shpejtë”. Anije të Marinës ushtarake gjermane kanë shpëtuar 9.455 emigrantë dhe refugjatë në Detin Mesdhe, nga fillimi i operacionit në qershor të vitit 2015. Edhe 22.641 persona janë shpëtuar nga 24 shtete tjera që marrin pjesë në operacionin, ndërsa 351 anije të kontrabandistëve janë shkatërruar.