Qefser ABDYLI
Shkup, 21 prill – Dhimbja kur e sheh fëmijën që dergjet nga sëmundje e rëndë është shumë e madhe, ndërsa edhe më e rënda është kur prej vitesh s’ke mundësi t’i ndihmosh. Nuredin Fejzullahu nga lagjja e Nerezit tash e disa vite jeton duke e parë djalin e tij Rasimin se si vuan nga sëmundja që e preku pas lindjes si pasojë e temperaturës së lartë. Rasimi 32 vjeçar nuk mundë të ecë si gjithë njerëzit normal, nuk mundë të flasë rrjedhshëm, por ka edhe pengesa në zhvillim. “Djali pas lindjes u bë kështu siç po e shihni, ky është në atë aspekt me ndërprerje në zhvillim. Nuk mundë të ecë normal, ta lëshojë gjithë këmbën, ky shkon vetëm në gishta, ndonjëherë pengohet, por edhe ka raste kur është rrëzuar. Ne kemi menduar që nuk do të ketë shërim asnjëherë më, por dikush na tha që ka shërim për këtë dhe me një operacion mund të shërohet. Këtu tek ne asnjë mjek nuk na ka thënë që mundë të bëhet operacion, sepse thanë që nuk mundë të garantojnë që bëhet mirë. Më herët e kemi pas edhe në Ohër, kemi qëndruar dy muaj, ia gipsuan këmbët, mirëpo ky nuk qëndronte i qetë sepse duke ecur i thyente ato. E kemi dërguar edhe në terapi, mirëpo prapë nuk pati sukses”, tregon me lot në sy babai i Rasimit. Një grua moshatare e Rasimit, e ka orientuar për në Serbi këtë të fundit, ku dhe i ka thënë që do e gjente shërimin 100 për qind atje. Rasimi i gëzuar që do mundë të shërohet i ka treguar babait të tij. “Mua më tregoi djali së çfarë i kishte thënë ajo gruaja dhe ky mendonte që unë nuk po kam dëshirë ta dërgoj atje. Po cili prind nuk do dëshironte ta sheh fëmijën e tij mirë, por kur nuk ka mundësi, nuk ka. Mirëpo, unë prapë kontaktova me mjekët dhe atje më thanë që mundë të vish. Shkova e pashë spitalin në Beograd, i bënë disa analiza dhe më treguan se operacioni kushton 4000 euro dhe më thanë që mundë të bëhet mirë. Më keq seç është tani, nuk bëhet”, thotë Nuredin Fejzullahu. Për momentin të gjithë janë të papunë në familjen Fejzullahu. Përveç operacionit të Rasimit, ata ballafaqohen edhe me vështirësi tjera, sepse vet Rasimi ka 4 fëmijë dhe të gjithë i ka në shkollë. “Edhe ata kanë nevojat e tyre, por falë Zotit fëmijët gëzojnë një shëndet të plotë. Të ardhura nuk kemi nga askund”, thotë Nuredini, i cili deri vonë ka punuar, por që tani është i pa aftë për punë, pasi ishte prekur nga një sulm në tru dhe që i shkakton pengesa edhe në të folur. Kjo familje bënë apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi, pavarësisht fesë apo përkatësisë kombëtare që t’i ndihmojnë në mbledhjen e të hollave të operacionit për djalin e tyre.“Bëjë apel deri tek ata që kanë mundësi, të na ndihmojnë. Ato të holla që mi dorëzojnë do jetë një ndihmë e madhe për mua dhe për djalin. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që na ndihmojnë, por edhe ata që nuk kanë mundësi Zoti shpresoj t’ju jep”, thotë me dhimbje Nuredin Fejzullahu. Duhet të ceket se afati i operacionit të Rasim Fejzullahut është deri më 10 qershor të këtij viti dhe shpresojmë që para kësaj date të mblidhen paratë e duhura për t’iu nënshtruar operacionit. Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë këtë familje mundë të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 78 311 160, ose direkt te familja Fejzullahu në Nerez.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara