Në Ministrinë e Kulturës nuk japin asnjë lloj komenti, jo vetëm lidhur me realizimin e projektit, por as me arsyet e pritjes për miratimin nga Ministria e Kulturës. Nuk japin përgjigje nëse pengesat me këtë projekt lidhen edhe me mangësi ligjore, apo me konceptimin dhe elaborimin e tij në përgjithësi
Evis HALILI
Shkup, 13 korrik – Realizimi i një prej projekteve më të rëndësishme për kulturën shqiptare të këtij viti, opera “Skënderbeu”, është vënë në pikëpyetje. I prezantuar si pjesë e Programit Vjetor të Ministrisë së Kulturës dhe i Operës dhe Baletit të Maqedonisë, projekti duhet të ngjitet në skenë në muajin nëntor (më 22 ose 28 nëntor), si pjesë e manifestimeve mbarëshqiptare me rastin e Vitit të Gjergjit, shkruan gazeta KOHA. Si në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, ashtu edhe në Ministrinë e Kulturës janë të rezervuar të japin komente për këtë projekt, dosja e të cilit po endet prej disa muajsh brenda institucionit dhe për rrjedhojë – askush nuk e merr përsipër që të merret me këtë çështje që duhej të ishte mbyllur me shpalljen e rezultateve të Programit Vjetor.
Nga Opera dhe Baleti janë në pritje të miratimit nga ana e Ministrisë së Kulturës për të filluar me këtë projekt. Drejtori i këtij institucioni, Qazim Asotiq, pohon për KOHA se nuk mund të japë asnjë informacion për aq kohë sa është në pritje të konfirmimit. Sipas Asotiq, OBM ka konkurruar me “Skënderbeun” në konkursin për Programin vjetor me interes nacional, ndërkohë që projekti nuk figuron në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës ku janë shpallur projektet e miratuara për Operën dhe Baleti. Në Programin vjetor të Operës figurojnë realizimi i vetëm dy premierave gjatë këtij viti – “Bohemët” dhe “Karmen”.
“Nuk mund të jap asnjë informacion, pasi presim që Ministria të japë pëlqimin. Nuk besoj se ka probleme, por ndërrimi i ministrave dhe ato proceset e dorëzim-marrjes së postit, marrin kohë”, thotë Asotiq. Drejtori nuk jep shpjegime as për koston financiare të projektit të propozuar prej tyre, që sipas deklarimeve të disa muajve më parë, nga Ministria e Kulturës opera do të ketë një kosto prej tre milionë denarë.
Katër muajt e mbetur në dispozicion nuk dihet nëse do të jenë të mjaftueshme për të realizuar një projekt të prezantuar nga zyrtarët shqiptarë të Ministrisë së Kulturës si grandioz. Opera me dy akte e kompozuar nga Fatos Lumani, libret që do të bazohet tek poema me të njëjtin titull të Naim Frashërit, është ideuar që të përfshijë një numër të madh instrumentistësh, këngëtarë, kor, skenografi, e të tjera.
Në Ministrinë e Kulturës nuk japin asnjë lloj komenti, jo vetëm lidhur me realizimin e projektit, por as me arsyet e pritjes për miratimin nga Ministria e Kulturës. Nga Ministria e Kulturës nuk japin përgjigje nëse pengesat me këtë projekt lidhen me mangësi ligjore, apo me konceptimin dhe elaborimin e tij në përgjithësi.
Kjo do të ishte opera e parë e kompozuar nga një kompozitor nga Maqedonia dhe e dyta nga një autor shqiptar me tematikë nga jeta e heroit kombëtar. Preng Jakova në vitin 1966 kompozoi operën “Skënderbeu”, me libret nga Llazar Siliqi që bazohej tek vepra e Marin Barletit. Kjo operë u shfaq gjashtë vjet më parë në Shkup me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë. Ndërkohë që në botë njihen edhe dy opera të tjera kushtuar heroit shqiptar, të kompozuara në shekullin e XVIII-të, në Itali dhe Francë. E para është realizuar nga kompozitori Antonio Vivaldi dhe libretisti Antonia Salvi, ndërsa e dyta “Skënderbeg- Tragjeditë” nga Rebek dhe Frankër dhe libret të Mote. (koha.mk)