Ona Vasjari, vajza e një prej muzikantëve më të njohur shqiptar, Xhelo Vasjari, nuk kishte si të mos ndiqte hapat e të atit. Ajo është një nga këngëtaret me zërin karakteristik të këngëve të jugut, por ajo këndon edhe zhanre të tjera. Kënga e fundit ishte një bashkëpunim dhe ajo tregon se është një nga eksperiencat më të bukura të karrierës së saj dhe flet më shumë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ti ke sjellë mjaft prodhime muzikore në treg, kur e kuptove që ishe bërë për muzikën dhe muzika për ty?
Jam rritur me muzikën, si bijë muzikanti dhe muzika ka qenë gjithmonë pjesë e imja dhe fatmirësisht kam patur mbështetjen dhe opinionin e sinqertë të një profesionisti në shtëpi i cili më ka shtyrë të ndjek këtë ëndërr. Por gjithashtu nuk ka qenë e lehtë…!
KOHA: Mjafton talenti apo duhen edhe bashkëpunimet e duhura për të patur sukses?
Talenti patjetër është një pikë e fortë por nëse nuk punon siç duhet dhe me njerëzit e duhur atëherë nuk mund të arrish suksesin. Për këtë arsye unë kam studiuar mirë tregun dhe materialet muzikore për të mos bërë gabime dhe patjetër për t’a bërë këtë më duhej të bashkëpunoja me profesionist.
KOHA: Bashkëpunimi yt me këngëtarin e mirënjohur Sajmir Misku me titull “Fati im” duket sa ka pasur një sukses të paparë. Ti e prisje? Më trego diçka më shumë për këtë bashkëpunim?
Sapo e dëgjova atë këngë më pëlqeu. Më Sajmirin nuk kisha bashkëpunuar më parë dhe mund të them që bashkëpunimi me të që ishte një eksperiencë shumë e mirë.
KOHA: Ndërkohë ke sjell edhe një tjetër këngë me klip apo jo me titull “Nipër e mbesa”? Po kjo prurje si u prit?
Të them të vërtetën kjo është një nga këngët që unë kam për zemër. Është pritur shumë mirë sepse edhe vetë tematika e këngës është shumë e bukur dhe transmeton shumë dashuri. Shpresoj që publiku e ka ndjerë po aq sa unë këtë këngë.
KOHA: Cila do të ishte ajo këngëtare femër apo këngëtar mashkull, që do ta zgjidhje për një bashkëpunim tjetër?
Kam shumë projekte dhe padyshim disa do të jenë bashkëpunime me kolegë shumë të suksesshëm në muzikë. Nuk do doja të zbuloja më shumë por do të ketë disa surpriza të bukura.
KOHA: Cila është këshilla më e mirë që ke marrë nga babait yt, një nga emrat më të njohur në muzikën shqiptare, Xhelo Vasjari, që realisht të ka hyrë shumë në punë?
Baballarët të japin shumë këshilla të vlefshme gjithmonë. Në lidhje me profesionin ai ka qenë një mentor shumë i mirë, i cili më ka mësuar si funksionon tregu muzikor, marrëdhëniet midis artistëve dhe mbi të gjitha më ka këshilluar me kë duhet të bashkëpunoj. Por mund të them se më e rëndësishme nga të gjitha është se më ka shtyrë që mos të heq dorë nga ëndrra ime.
KOHA: Mendon se shumë këngëtarë qëndrojnë në treg vetëm nga thashethemet nëpër media?
Varet nga fokusi i çdo personi por gjithashtu dhe i artistëve. Nuk mund të them se të gjithë këngëtarët janë aty ku duhet të jenë por gjithashtu nuk mund të gjykoj për arritjet e të tjerëve. Ky treg është shumë dinamik dhe ndryshon vazhdimisht. Ata të cilët nuk mund të japin vlerë tek publiku, nuk mund të rezistojnë gjatë. Çudia e lajmeve 3 ditë zgjat…!(buzëqesh).
KOHA: Për çfarë do të doje ta ndaloje kohën?
Koha është dhurata më e çmuar që na kanë dhuruar. Nuk do të doja t’a ndaloja pasi me kohën dhe punën kam punuar fort për të arritur këtu dhe për të vazhduar rrugën që kam zgjedhur.
KOHA: Ia vlen çdo lloj sakrifice për muzikën?
Pa sakrifica nuk mund të arrish suksesin. Unë kam bërë shumë sakrifica por mund të them se deri tani ia kanë vlejtur dhe po i ndjej rezultatin.
KOHA: Të bërit e famshme dhe e pasur janë dy nga pasojat e të bërit muzikë. Ty cila nga këto të dyja të tundon më shumë?
Unë kam një pasion, një ëndërr të cilën dua ta realizoj që të jem një artiste që publiku e dëgjon dhe e do. Kjo është e vetmja gjë që më tundon aktualisht të arrij qëllimin tim.
KOHA: Çfarë do t’u thoje atyre këngëtareve që mendojnë se bukuria të hap çdo derë?
Nuk mund të mohoj se paraqitja është një faktor shumë i rëndësishëm, i cili nuk mund të nënvlerësohet jo vetëm nga artistët por nga askush. Pamja është qasja e parë por vlerat janë ato të cilat konsolidojnë një njeri.
KOHA: Cilat janë gjërat që e bëjnë një person interesant në sytë dhe mendjen tënde?
Njerëzit e sinqertë, të fortë, me ëndrra dhe dëshira për të realizuar.
KOHA: Veten e konsideron më tepër një vajzë delikate apo e fortë?
Jo, jam një vajzë shumë e fortë dhe më pëlqen kjo gjë tek vetja.
KOHA: Çfarë të ka ofruar më tepër siguri në jetën tënde?
Familja, njerëzit e mi të dashur dhe besimi në vetvete.
KOHA: Ndodh t’i thuash vetes: “Unë jam më e mira”?
Patjetër, ia them vetes çdo mëngjes (qesh).