Shkup, 7 nëntor – Avokati i Popullit Ixhet Memeti sot në Qeveri i dorëzoi masat për zbatimin e rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes me të drejtat dhe liritë e njeriut, që ai i ka konstatuar, sepse deputetët nuk i votuan në seancën e djeshme kuvendore. Reagimet e Avokatit të Popullit vijojnë pasi në Parlament nuk u votuan masat e propozuara me të cilat duhej të angazhohet Qeveria përmes sjelljes së vendimeve dhe ndryshimeve ligjore të përmirësojë gjendjen në sferën e të drejtave të njeriut. “Do të kërkoj nga Qeveria t’i vendosë masat në seancë dhe t’i angazhojë organet shtetërore ta përmirësojnë gjendjen. Pas gjashtë muajve do të kërkojë të më informojnë Qeveria deri ku ka arritur realizimi i masave të cilat do t’i propozojë”, deklaroi Memeti në konferencën e sotme për media. Tha se dje në seancën kuvendore ka pasur kuorum, por edhe krahas kësaj Raporti vjetor për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Maqedoni dhe pakoja e masave për përmirësimin e tyre deputetët nuk e votuan. Ai vlerëson se Avokati i Popullit duhet të ketë mbështetje më të madhe pikërisht nga Kuvendi që të bëjë kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv. Shtoi, sipas Ligjit të ri për Avokatin e Popullit nga prilli i këtij vitit, Parlamenti duhet ta miratojë raportin e Ombudsmanit dhe ta angazhojë Qeverinë t’i përmbushë masat e dhëna. Memeti në konferencën për media theksoi disa prej masave të cilat janë përfshirë në raport, ndërsa kanë të bëjnë me autorizimet policore, në gjyqësi, mbrojtjen sociale, sigurimin pensional dhe invalidor, mbrojtjen shëndetësore, të drejtat e fëmijës, të drejtën e votës, të drejtën e refugjatëve dhe emigrantëve… Nga sfera e gjyqësisë, siç theksoi, kërkon nga Qeveria t’i urdhërojë organet e administratës shtetërore ta ngrenë cilësinë e bashkëpunimit me gjyqësinë administrative. Avokati i Popullit sot është takuar edhe me grupet parlamentare nga LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, të cilat siç tha, kanë pranuar se duhet t’i votojnë rekomandimet.