Besnik Hasi nuk është më trajner i Olimpiakosit. Klubi grek shkarkoi shqiptarin e Kosovës, që ra viktimë e padurimit në futbollin modern. Olimpiakosi, që e mori me shumë kënaqësi Besnik Hasin si trajner, vendosi ta shkarkonte kur nuk janë mbushur mirë 78 ditë punë. Mjaftoi humbja në kampionat në derbin ndaj AEK-ut të Athinës, që shqiptari i Kosovës të mbetej pa punë. Pas lavdërimeve për kualifikimin në grupet e Championsit, me sukseset ndaj Partizanit të Beogradit dhe Rijekës së Kroacisë, erdhën menjëherë kritikat dhe vendimi drastik. Kjo ishte humbja e parë në Superligë nga Olimpiakosi, që ndodhet 5 pikë larg AEK-ut që kryeson. Ishte e qartë se kampionët e Greqisë nuk po shkëlqenin, veçse në kaq pak kohë punë, ishte po ashtu e qartë se gjakovari nuk mund të arrinte maksimumin me skuadrën e tij. E vështirë të gjykohet nëse është apo jo i drejtë vendimi i Presidentit Marinaqis. Ekzistonte mundësia që Hasi të kishte humbur lidhjen me lojtarët, dhe disfata me AEK-un u quajt si një “puç”. Në një rast të tillë, shkarkimi është I pashmangshëm. Mundësia tjetër ishte që Marinaqis të jetë treguar I paduruar, duke mos pranuar një renditje të tillë për skuadrën që kishte fituar 7 kampionatet e fundit të Greqisë. Besohet se humbja ndaj Sportingut të Lisbonës në Çampions, brenda në Pire, mund të ketë luajtur një rol, pasi Hasi ishte marrë si specialist I Ligës së Kampionëve. Marinaqis e tregoi gjithë nxitimin e tij sezonin e kaluar duke shkarkuar 5 trajnerë në vetëm një vit futbollistik. Në një farë mënyre, Hasi u bë viktimë e një futbolli që I falet milionave të shpenzuara, dhe që ka humbur identitetin dhe parimet e tij si sport dhe profesion.